Aktivitetet lidhur me implementimin e Marrëveshjes së Prespës si dhe aktivitetet vijuese rreth ratifikimit të Protokollit qasës për anëtarësim të Maqedonisë në NATO, kanë qenë temë e takimit të ministrit për Punë të Jashtme Nikolla Dimitrov me ndihmës sekretarin shtetëror për Evropë, Ves Miçel që u mbajt në Stejt Departamentin në kuadër të vizitës së punës në Uashington.
Në takim, siç ka njoftuar MPJ, Dimitrov ka shprehur pritje se së shpejti do të pasojë edhe ratifikimi i protokollit në Senatin e SHBA-së.
Ndihmës sekretari shtetëror Miçel, ka vlerësuar se Marrëveshja e Prespës dhe hyrja e saj në fuqi, e ndjekur me anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, janë çaste historike, që si tha “vendi jonë duhet të krenohet”. Ai ka theksuar veçmas pritjet se këto arritje do të kenë ndikim pozitiv në stabilitetin dhe prosperitetin e mbarë rajonit.
Në Shtëpinë e Bardhë, ministri Dimitrov është takuar edhe me drejtorët në Këshillin për siguri nacionale të SHBA–së: për çështje evropiane VIlijam Berkli edhe për NATO Markus Tomi. Edhe në këtë takim është biseduar për aktivitetet e ardhshme në kontekst të integrimeve euroatlantike të Maqedonisë dhe mbështetjen e mëtejme nga SHBA.
Ministri Dimitrov ka pasur takime të ndara edhe me kryetarin e Institutit Nacional Demokratik (NDI) Derek Miçel, me zëvendës drejtorin ekzekutiv të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) Xhudi Van Rest si dhe me drejtorin e Fondacionit Heritixh, Luk Kofi ku janë shqyrtuar mundësitë dhe perspektivat për bashkëpunim të mëtejmë me këto institucione me renome.
Gjatë ditës së sotme, ministri Dimitrov do të ketë takime edhe me bashkëkryesuesin e Komitetit për siguri dhe bashkëpunim në Evropë dhe anëtar të Komitetit për punë të jashtme të Senatit në SHBA, senatorin Ben Kardin dhe me nënpresidentin e Këshillit Atlantik të SHBA-së, Dejmon Villson.
Pasdite, ministri Dimitrov do të ketë paraqitje në Këshillin Atlantik para ekspertëve, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe bashkësisë diplomatike në Uashington.