Skandali me pensionet, Prokuroria nis hetimet

Prokuroria Publike ka filluar procedurën hetimore pas paraqitjes së padisë penale nga ministrja E Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska rreth skandalit me mos-transferimin e kontributeve të rreth 12 mijë qytetarëve në shtyllën e dytë të sigurimit pensional invalidor. Thirrja e ministres nga Prokuroria Publike për të dhënë dëshminë e saj ishte hapi i parë.

Marketing

Ministrja Carovska është thirrur nga Prokuroria që të japë dëshminë e saj. Ky është hapi i parë i çdo procedure. Tani do të merremi me vërtetimin e fakteve – njoftojnë nga Prokuroria Publike.

Ndërkohë, ministrja Carvoska thotë se obligimin e saj ligjor e ka kryer me paraqitjen deri në prokurori të parregullsive.

Unë si ministre kam detyrim ligjor që gjithçka që do të detektoj ta paraqes deri tek ata dhe unë e mbarova këtë detyrim. Puna e dytë që kisha ishte që ta rregulloj gjithë këtë sistem, të gjejmë mënyrë se si t’i mbrojmë qytetarët, si Qeveri e përgjegjshme e kemi bërë edhe këtë, për institucionet e tjera nuk do të doja të komentoja, kërkoni deklarata prej tyre – u shpreh Mila Carovska, Ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

Ndërkohë drejtori i Fondit Pensional në një deklaratë për Alsat ditë më parë tha se numri i atyre që verifikojnë nëse kontributet e tyre kanë kaluar në shtyllën e dytë të sigurimit pensional është shumë I vogël. Këtë gjë e pranojnë edhe vet qytetarët e anketuar.

“Po nuk i kam kontrolluar, nuk i kam parë. Kanë dal lloj-lloj skandalesh, Edhe kjo që doli tamam është. Krejt skandale jemi ne”.

“Po, po. Të paguara janë. Nuk kam kërkuar informacione, më janë dërguar nga Fondi Pensional. Dërgojnë ata njoftim vjetor me shkrim. Punë e çuditshme. Duhet të kontrollohet kush i paguan kontributet, a paguhen. Duhet të mbajë dikush përgjegjësi për këtë punë”.

“Nuk kemi kontrolluar fare të themi të drejtën, për shkak se të themi të drejtën këtë punë na e udhëheqin ata që janë në firmë, kontabilistët. Jo ne s’jemi interesuar”.

“ Po po, e di. Jam krejt në rregull”.

Skandali me mos-transferimin e kontributeve në shtyllën e dytë të fondit pensional u publikua rreth dy javë më parë nga ministrja Carovska. Menjëherë pas kësaj si ministrja e punës ashtu edhe drejtori Fondit dolën me deklarata se nuk ka vend për shqetësim, sepse ka zgjidhje. Ministrja Carovska tha se Qeveria do të ndajë 19 milion euro për mbushjen e këtij boshllëku monetar në sistemin pensional. Ndërkohë që drejtori tha se 12 mijë qytetarët e prekur nga ky skandal nuk duhet të kenë frikë, sepse paratë e tyre as nuk kanë humbur dhe as nuk janë vjedhur, por thjesht nuk kanë kaluar në shtyllën e dytë.