Prokuroria Publike ka filluar procedurën hetimore pas paraqitjes së padisë penale nga ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska rreth skandalit me mostransferimin e kontributeve të rreth 12 mijë qytetarëve në shtyllën e dytë të sigurimit pensional invalidor. Thirrja e ministres nga Prokuroria Publike për të dhënë dëshminë e saj ishte hapi i parë.
“Ministrja Carovska është thirrur nga Prokuroria që të japë dëshminë e saj. Ky është hapi i parë i çdo procedure. Tani do të merremi me vërtetimin e fakteve”, njoftojnë nga Prokuroria Publike.
Ndërkohë, ministrja Carvoska thotë se obligimin e saj ligjor e ka kryer me paraqitjen deri në prokurori të parregullsive.
“Unë si ministre kam detyrim ligjor që gjithçka që do të detektoj ta paraqes deri tek ata dhe unë e mbarova këtë detyrim. Puna e dytë që kisha ishte që ta rregulloj gjithë këtë sistem, të gjejmë mënyrë se si t’i mbrojmë qytetarët, si Qeveri e përgjegjshme e kemi bërë edhe këtë, për institucionet e tjera nuk do të doja të komentoja, kërkoni deklarata prej tyre”, u shpreh Mila Carovska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale./TS/