Në Gostivar 1 mijë e 100 gjoba për parkime në mënyrë të parregullt

Vitin e kaluar, në rajonin më të gjerë të Gostivarit janë zbuluar dhe sanksionuar 1.104 shkelje për parkim të gabuar, njofton Koha.

Marketing

“Automjetet e parkuara në mënyrë të parregullt të cilët kanë qenë të vendosur në vende të palejueshme, e kanë penguar lëvizjen normale dhe të sigurt të pjesëtarëve të tjerë të komunikacionit, janë ngritur nga “karrotreci” dhe janë transportuar në vende të caktuara. Numri më i madh i këtyre shkeljeve më herët ka qenë në lidhje me parkimin në kalimin e këmbësorëve, në trotuare, sipërfaqe të gjelbërta, udhëkryqe dhe në vende të tjera”, thotë Marjan Josifoski, zëdhënës i SPB-s në Tetovë.

Gjatë janarit të këtij viti, numri i përgjithshëm i këtyre shkeljeve ka qenë 46. Në periudhën e ardhshme janë planifikuar kontrolle në zonën qendrore të Gostivarit dhe veçanërisht në rrugët “Vëllezërit Gjinovski”, “Goce Delçev”, “Ilindenska”, “JNA”.

Pronarëve të automjeteve gabimisht të parkuara u janë përgatitur urdhëresa të detyrueshme për të paguar, ndërsa gjoba për këtë lloj të shkeljes lëviz prej 45 deri 180 euro në kundërvlerë të denarit, ose shënimi i 25 deri 40 pikëve negative.