Do të hapet Ambasadë në Athinë dhe konsull në Selanik

Maqedonia do të hapë ambasadën e parë në Athinë dhe konsullin në Selanik, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese për emrin. Me këtë përmbyllet edhe një pikë tjetër e Marrëveshjes me Greqinë dhe dy vendet për herë të parë vendosin themelet e marrëdhënieve zyrtare diplomatike.

Marketing

Ndërkohë, paralelisht bëhet një hap me tej në zgjidhjen e ngërçit me emërimin e krerëve në përfaqësitë diplomatike dhe konsulore të Maqedonisë në botë. Tashmë janë dakorduar edhe emrat e shtatë konsulve të cilët pritet të kalojnë filtrat dhe të dërgohen nëpër konsultata. Zv.ministri i Jashtëm Andrej Zhernovski, për Alsat shprehet optimist se me zgjedhjen e presidentit të ri, mungesa e ambasadorëve dhe konsulve të Maqedonisë nëpër përfaqësitë diplomatike do të mbetet në të kaluarën.

Jam optimist sepse e di se çfarë ndodh dhe cila është procedura për emërimin e ambasadorëve të radhës. Tani do të ketë pushim sepse vinë zgjedhjet presidenciale. Më herët bashkëpunimi e ka bërë të vetën, për fat të keq, megjithatë nuk kërkojmë më fajtorë. Maqedonia do të shkojë përpara dhe do të prezantohet, pikërisht në këto momente kur ulemi në vendin tonë në NATO dhe kur në qershor presim të fillojmë negociatat me BE-në, do të jemi sa më shumë që është e mundur të përfaqësuar jashtë”- pohoi Andrej Zhernovski, zv.ministër i Jashtëm.

Kryetari i sapo zgjedhur i sindikatës së diplomatëve thotë se është shumë e rëndësishme që vendi të ketë njeriun e parë në çdo ambasadë dhe konsull, me qëllim të përfaqësimit të denjë diplomatik.

Kjo është shumë e rëndësishme edhe për Maqedoninë por edhe për vendet me të cilat kemi marrëdhënie diplomatike. Siç e dini, para disa muajsh u emërua një pjesë e ambasadorëve në disa vende, kanë qenë diku shtatë, të cilët tani më e kanë marrë postin dhe janë në ato vende dhe nga lista më e re janë edhe dhjetë ambasadorë të cilët janë në fazën përgatitore ose përfundimit të saj dhe pritet së shpejti, ndoshta në shkurt ose mars, të shkojnë”- tha Refet Hajdari, kryetar i Sindikatës së Diplomatëve.

Shumë nga ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike, për më shumë se shtatë ose tetë vite kanë qenë pa njeriun e parë duke u drejtuar vetëm nga ushtrues detyre. Mes tyre kanë qenë edhe përfaqësi diplomatike në vende shumë të rëndësishme, madje edhe ku jeton një pjesa e mirë e diasporës së vendit. Ngecjet kanë ardhur si pasojë e mos-marrëveshjeve me presidentin Gjorge Ivanov i cili duhet i fundit të japë dekretin.