Çfarë përfiton Maqedonia nga anëtarësimi në NATO

Vendet anëtare të NATO-s sot në Bruksel pritet ta nënshkruajnë Protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë në Aleancë, më pas Kuvendet nacionale të vendeve anëtare duhet ta ratifikojnë protokollin dhe Maqedonia do të merr pjesë në të gjitha mbledhjet e NATO-s, në përbërje të vendit të ftuar.

Marketing

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka theksuar se për shkak se ratifikimi kërkon miratimin nga 29 parlamentet e vendeve anëtare të NATO-s, hyrja në aleancë mund të marrë një vit kohë sikurse ndodhi me Malin e Zi në vitin 2017.

Por, veç lajmit, qytetarët duan të dinë në mënyrë konkrete se çfarë përfiton Maqedonia nga NATO-ja?

Pas anëtarësimit në NATO përfitimet për Maqedoninë do të jenë përtej sferës së sigurisë. Me anëtarësimin në NATO, Maqedonia konsiderohet si një vend i sigurt dhe me ekonomi të konsoliduar. Nisur nga kjo, investitorët e huaj do të kthejnë sytë nga vendi ynë për të investuar. Për të vërtetuar këtë ide, analistët kanë marrë shpeshherë si rast shembullin e Çekisë, e cila, pasi u anëtarësua në NATO, pati një bum investimesh, të cilat kapën shifrën e 9 miliardë eurove. Me hyrjen në NATO forcohet edhe roli i vendit në arenën ndërkombëtare dhe Maqedonia fiton një peshë lobingu.

Por veç përfitimeve anëtarësimi në NATO do të sjellë edhe disa detyrime për vendin tonë. Hyrja e Maqedonisë në NATO e detyron politikën tonë të ndërtojë një demokraci funksionale, të krijojë shtetin ligjor dhe të forcoje institucionet, tre elemente këto shumë të rëndësishëm, nga të cilat ka vuajtur politika në këto vite tëq stërzgjatura të tranzicionit të vështirë. Gjithashtu vendi duhet të rrisë investimet në ushtri duke realizuar reformat e domosdoshme sipas standardeve euroatlantike duke u pajisur edhe me armatime moderne.

Ndërkohë që Maqedonia do të ketë dhe një detyrim të përvitshëm për të derdhur në arkën e NATO-s një shumë të caktuar, në varësi të buxhetit të vendit dhe mesatares së vendeve anëtare.

Përfitimet nga NATO:
Maqedonia pjesë e aleancës më të suksesshme të kohëve moderne
Forcohet roli i vendit në arenën ndërkombëtare
Vendi konsiderohet i sigurt
Jep garanci për investitorët e huaj
Rritje e investimeve të huaja në vend
Reformat për NATO-n të afrojnë më shumë me BE-në
BE të shikon si një partner serioz në negociata për anëtarësimin

Detyrimet nga NATO:
Krijimi i një demokracie të konsoliduar
Krijimi i shtetit ligjor
Forcimi i institucioneve
Zhvillim ekonomik
Reforma fiskale
Zhvillim i biznesit vendas.