Mbi tre orë rruga kryesore e lagjes Autokomandë ishte si një skenar filmi. Me kërkesë të mbrojtjes, gjykata organizoi rikonstruimin e rrahjes që përfundoi me vdekjen e tifozit të grupit “Komitët”, Nikolla Sazdovski.
Të akuzuarit Besir Bela dhe Skender Demiri, me duar në pranga dhe nga dy policë që i mbajnë për krahu, i treguan gjykatëses se si ka ndodhur rrahja. Kur kanë kaluar kah stacioni i autobusit dhe kur e kanë vërejtur Sazdovskin dhe të dashurën e tij, dhe në mënyrë shtesë treguan për goditjet që ja kanë dhënë.
Përveç të akuzuarve, versionin e ngjarjes e tregoi edhe e dashura e Sazdovskit, e cila është e mitur, prandaj edhe nuk lejohej filmimi i saj. Gjatë gjithë kohës vendi i ngjarjes ishte i rrethuar nga një mori policësh të njësiteve speciale.
Për avokatin e familjes Sazdovski dhe babain e djalit të ndjerë, ky rikonstruim vetëm e bëri edhe më të bindshëm versionin e tyre që Nikolla kishte vdekur si pasojë e goditjeve të Belës dhe Demirit, e jo nga rënia në kutinë metalike, siç pohonte mbrojtja.
“Tregimi i mbrojtjes për një farë kutie metalike që nuk ekziston ra në ujë. Nuk ekziston kuti metalike. Është një kuti e mbështjellë me plastikë që nuk mund të shkaktojë dëme të tilla. Edhe nga dëshmitë e dëshmitarëve dhe ekspertit u vërtetua se vdekja është si pasojë e goditjeve për një minutë e gjysmë. Deklaratat e të akuzuarve se gjoja kanë ndaluar që të shohin një kusherirë janë tejet kontradiktore. Sazdovski nuk është femër. Deklaratat e tyre janë tejet kontradiktore, ndërsa ato të dëshmitarëve përputhen plotësisht me atë që sot u tregua në vendin e ngjarjes”, deklaroi Vanço Shehtanski, avokat.
Avokatët e mbrojtjes megjithatë nuk lëshojnë pe. Këmbëngulin që duhet të kthehet akuza e vjetër për dhunë me pasojë vdekjen, dhe të hidhet poshtë akuza për vrasje pasi nuk mban ujë.
“Sazdovski e ka humbur jetën si pasojë e rënies. Të gjithë e vërtetuan se ai ka rënë në pjesën e pasme të kokës në atë kuti. Prandaj kjo nuk mund të jetë vrasje. Kjo është vetëm vepër penale dhunë e cila ka përfunduar me vdekje. Ne do të thirrim edhe përfaqësues të EVN-së për të treguar se kjo kuti është metalike, që është mjet i fortë që ka shkaktuar plagët, pavarësisht se mbështjellësin e ka nga plastika…Nuk kanë kuptim deklaratat e avokatit Shehtanski se ai nuk ka rënë në kokë pasi të gjithë dëshmitarët e thonë të kundërtën”, u shpreh Naser Raufi, avokat.
Paraprakisht në gjykim u dëgjuan deklaratat e të akuzuarve 19 dhe 20 vjeç të cilët shprehën keqardhje për vdekjen e Sazdovskit dhe thanë se ata nuk e kanë patur për qëllim që ta vrasin atë.
Sipas aktakuzës, Besir Bela dhe Skender Demiri, së bashku edhe me Jeton Luzhën që është në arrati, më 29 qershor të vitit të kaluar e kanë rrahur brutalisht Sazdovskin në stacionin e autobusëve pasi që e kanë indenfitikuar me letërnjoftim. Nga plagët e marra, Sazdovski ndërroi jetë, pas disa ditësh gjendje kome.