Zgjerohet “Lista e Zezë” e Ambasadës së SHBA në Tiranë. Ka arritur në 170 numri i zyrtarëve të cilëve nuk iu lejohet viza.
Sipas Ambasadës Amerikane në Tiranë, që nga revokimi i vizave të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve në janar 2017, Ambasada e SHBA iu ka mohuar vizat më shumë se 170 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve, si dhe familjarëve të tyre.
Deputeti Tom Doshi dhe ish Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, së bashku me familjet e tyre, nga Sekretari i Shtetit Amerikan konsiderohen “të pakualifikueshëm” për viza amerikane përgjithmonë.
Pozicioni i Ambasadës së SHBA kundër korrupsionit dhe synimi i saj për t’iu mohuar hyrjen në Shtetet e Bashkuara zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar mbetet i pandryshuar”, përfundon përgjigjen e saj zyra e shtypit e ambasadës amerikane në Tiranë.
Në janar 2017, Ambasada e Shteteve të Bashkuara revokoi vizat joemigruese për disa gjyqtarë dhe prokurorë shqiptarë.