Rusia sërish përzihet: Maqedonia s’kishte pse hyn në NATO

Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë nuk e ka të qartë se prej çfarë kërcënimesh dëshiron NATO-ja ta mbrojë Maqedoninë, kur i vetmi kërcënim për rajonin është Ushtria e Kosovës, të cilën vetë Aleanca e ka stërvitur dhe armatosur.

Marketing

Kështu deklaroi zëdhënësja e MPJ-së ruse, Marija Zaharova, duke komentuar nënshkrimin e djeshëm të Protokollit qasës për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

“I vetmi kërcënim serioz i armatosur që e destabilizon rajonin është Armata e Kosovës, e cila është formuar nga ushtarët e dikurshëm shqiptarë. Nuk shohim kërcënime tjera dhe prandaj pyesim veten se a e ka ndër mend Aleanca sërish të luftojë me ata të cilët i ka stërvitur dhe armatosur”, deklaroi Zaharova.

Sipas Moskës, anëtarësimi i Maqedonisë në NATO mund të jetë arsye që vendi të mos mund të zhvillojë politikë të pavarur të jashtme. “Sigurisht do të duhet të paguhet për mbrojtje nga ana e NATO-s. Tashmë e di se cili është çmimi për këtë. Do të duhet paguar, si për shkak të rritjes së shpenzimeve për mbrojtje, për pjesëmarrje në përgatitje, operacione ushtarake, që janë larg interesave të popullit maqedonas, gjithashtu edhe me humbejn e mundësisë për të udhëhequr politikë sovrane të jashtme, deklaroi Zaharova.