Në orën 10:00 sipas kohës lokale, pasi që mori dritë të gjelbër nga Komisioni kompetent, projekt ligji për ratifikimin e Protokollit për anëtarësim në NATO, do të sillet në mbledhje plenare në Parlamentin grek, ndërsa debati do të përfundojë me votim të deputetëve, lajmëroi korrespondentja e MEDIAL-s nga Athina.
“Siç del nga debati dhe nga qëndrimet e anëtarëve të Komisionit, projekt ligji nga Ministria e Punëve të Jashtme “Ratifikimi i Protokollit drejt Marrëveshjes veriatlantike për qasje të Republikës së Maqedonisë Veriore”, është pranuar fillimisht, në tërësi edhe nga shumica”, tha dje kryetari i Komisionit për siguri nacionale dhe çështje të jashtme të Parlamentit grek, Konstantinos Duzinas, në fund të debatit që zgjati pesë orë e gjysmë.
Pas përfundimit të takimit, Duzinas, në Parlament parashtroi raport në të cilin propozon të pranohet projekt ligji konkret, duke i marrë parasysh qëndrimet e shumicës së anëtarëve të komisionit.
Projekt ligji për “Ratifikimin e Protokollit drejt Marrëveshjes veriatlantike për qasje të Republikës së Maqedonisë Veriore”, u pranua nga deputetët e SYRIZA-s dhe deputeti i pavarur, nga radhët e Potami-it, Mavrotas, përderisa ndërkaq të gjithë partitë e tjera greke nga opozita ishin kundër.
Që të votohet Protokolli për anëtarësimin tonë në NATO, nevojiten minimum 151 vota, ndërsa pritjet në Greqi janë se deputetët të cilët e mbështetën ratifikimin e vetë marrëveshjes, sot do ta mbështesin edhe Protokollin.
Hapat e ardhshëm pas ratifikimit të Protokollit në Parlamentin grek i sqaroi ministri alternativ i Punëve të Jashtme të Greqisë, Jorgos Katrugallos, në brifingun me korrespondentët e huaj në Athinë, duke u përgjigjur në pyetjen kur gazetarët në tekstet e tyre edhe zyrtarisht do të duhet të fillojnë ta përdorin emrin e ri Maqedonia Veriore.
“Pas votimit të Protokollit, i dërgojmë notë verbale Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë Veriore, dhe ata menjëherë, ndoshta ditën e njejtë, ndoshta të nesërmen, e njoftojnë KB-në dhe të gjitha vendet që e kanë njohur me emrin kushtetues paraprak, se emri i ri kushtetues është Maqedonia Veriore. Në pyetje janë ditë”, tha Katrugallos. .