Nënshkruhet tenderi për gasifikimin e Klinikës “Nënë Tereza” në Çair

Sot zyrtarisht është nënshkruar tenderi për gasifikimin e Klinikës së Gjinekologjisë “Nënë Tereza” në Çair. Kështu njoftoi Ministri i Shëndetsisë, Venko Filipçe.
G: A e nënshkruat tenderin për Gjinekologjinë në Çair?
“Po, mbrëmë e kemi filluar procedurën”, tha Venko Filipçe Ministër i Shëndetësisë.

Marketing

Mirëpo në pyetjen se a do të mbyllet klinika, Filipçe nuk ishte i qartë. Ai tha se ligji për shpallje dhe zbatim për tender nuk mund të zbatohet për 30 ditë.
“Disa herë kemi biseduar me kryetarin e Qytetit të Shkupit dhe e kam informuar personalisht se si do të vijojë procedura. Dje kur u dha deklarata nga kryetari në të vërtetë nuk kishte filluar procedura, por ne pasdite e nënshkruam zyrtarisht dhe sot do të dalë…

Duhet të kemi kujdes me afatet kohore që i parasheh ligji për shpallje dhe zbatim për tender. Kjo nuk mund të ndodhë për 30 ditë dhe shpresoj të mos ketë ankesa. Shpresoj të përfundojë në afatin e paraparë kohor” u shpreh Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.

Dje kryetari i Qytetit të Shkupit tha se qëndron prapa afatit kohor që i ka dhënë ksaj klinike për të gjetur zgjidhje për problemin që shkakton në ndotje të ajrit. Ndërkaq edhe sot nga Qyteti i Shkupit për TV21 informojnë se ende nuk kanë marrë informacione zyrtare as nga Ministria e Shëndetësisë e as nga Klinika e Çairit në lidhje me fillimin e procedurës së zgjidhjes së problemit me Gjinekologjinë “Nënë Tereza” në Çair. Kjo lë të kuptohet se Gjinekologjia e Çairit, ku në vit lindin mbi 4000 foshnja, rrezikon të mbyllet.

Nga Ministria e Shëndetësisë njoftojnë se problem ka shkaktuar fundërrina që është krijuar nga mazuti, me të cilën ngrohet kjo klinikë. Nga ky dikaster thonë se pas spitalit të Çairit radhën për gasifikim e kanë spitali i Kumanovës dhe ai në Strumicë.