Vazhdojnë protestat kundër ajrit të ndotur

Rruga para Kuvendit edhe sot për disa orë ka qenë e bllokuar nga ana e qytetarëve të cilët vazhdojnë të shprehin pakënaqësitë e tyre lidhur me ajrin e ndotur. Ata të revoltuar se pse autoritetet nuk marrin masa, në mënyrë ironike thanë se do të bëjnë mbledhjen e fondeve për të ndihmuar shtetin në luftën kundër ndotjes.

Marketing

Njëri nga folësit e shumtë tha se ai për vete është i moshuar dhe nuk e di se sa do jetojë por problem sipas tij është rinia.

“Zgjidhje ka edhe atë të menjëhershme, ka edhe para. Duhet të jemi në numër sa më të madh, për fatin e fëmijëve tuaj. Për gjeneratat e reja. Kam 74 vite, nuk e di a do të jetoj, 7 vite apo 7 ditë. Të mendojmë për gjeneratën e re”, veçoi një qytetar.

“Mendoj që ajri, është i keq për shëndetin tim. Çdoherë kur ajri është i ndotur, edhe pse mbaj mbrojtëse ndjej pengesa gjatë frymëmarrjes. Dua që kjo Qeveri të ketë prioritet ndarjen e fondeve për të penguar ndotjen. Po të ishim në gjendje lufte, kjo do të ishte gjendje për evakuim dhe të gjithë do të duheshte të tërhiqemi”, pohoi një qytetar.

“Jemi këtu për të kërkuar ajër të pastër, sepse gjatë gjithë kohës jemi të detyruar të mbajmë mbrojtëse. E gjithë çanta ime është e mbushur me mbrojtëse. Unë vuaj nga asma, kurse Qeveritarët nuk kanë kurrfarë ndjenje kur flitet për qytetarët”, deklaroi një qytetar.

“Jemi këtu për të kërkuar që të zgjidhet problem me ndotjen. Mendoj se duhet të zgjidhet, të renditen dhe zbulohen se kush është ndotës, nëse mendojnë se janë. Nëse mendojnë se është ngrohja me dru, le të gazifikohet Shkupi, nëse mendohet se është trafiku, le të ndalohet vozitja e veturave të vjetra.

Nëse mendojnë se janë fabrikat le të vendosen filtra, ka prej ku të fillohet, nuk na duhen mbrojtëse”, theksoi një qytetar.
Protesta të njëjta janë paralajmëruar edhe për javën e ardhshme dhe të pranishmit kanë paralajmëruar protesta edhe më masive.