Trump konfirmon zyrtarisht samitin me Kim Yong un: Pres të shoh avancime drejt paqes

Presidenti Donald Trump tha të premten se diplomatët amerikanë kishin pasur një “takim shumë produktiv” me zyrtarët e Koresë së Veriut, ndërsa njoftoi se samiti i tij i radhës me udhëheqësin e Penianit, Kim Jong Un, do të mbahej në kryeqytetin e Vietnamit, Hanoi.

Marketing

“Përfaqësuesit e mi sapo kanë dalë nga Koreja e Veriut, pas një takimi shumë produktiv dhe është caktuar një datë për Samitin e dytë me Kim Jong Un. Takimi do të zhvillohet në Hanoi, kryeqyteti i Vietnamit, më 27 dhe 28 shkurt”, tha Trump në Twitter.

“Unë pres që të shoh Kryetarin Kim & avancimet e bëra në drejtim të paqes në rajon”, tha ai. Më parë këtë javë, Trump njoftoi datat për samitin e dytë me Kim dhe tha se do të mbahet në Vietnam, por qyteti nuk ishte zbuluar.

Stephen Biegun, përfaqësuesi special i SHBA-ve për Korenë e Veriut, mbajti tri ditë bisedime në Penian, për t’u përgatitur për samitin, tha të premten Departamenti i Shtetit. Ai tha se Biegun kishte rënë dakord me homologun e tij Kim Hyok Chol të takoheshin përsëri përpara samitit.

Në bisedimet e tyre në Penian, nga e mërkura deri të premten, Biegun dhe Kim Hyok Chol “diskutuan për avancimin e angazhimeve të Presidentëve Trump dhe Kim, në samitin e Singaporit, drejt denuklearizimit të plotë, transformimit e marrëdhënieve SHBA-DPRK dhe ndërtimit të një paqeje të qëndrueshme në Gadishullin Korean”, tha Departamenti.
Deklarata e saj, e cila i referohej Koresë së Veriut me akronimin për emrin e saj zyrtar, Republika Popullore Demokratike e Koresë, nuk dha asnjë shenjë të ndonjë përparimi në bisedime.