Lajme gjysmake, lajme që s’janë lajme, trillime,shpifje, manipulime,montime dhe çmontime,dezinformim dhe frikësim i opinionit me mashtrime masovike , fake news. Një shpërlarje e përgjithshme e trurit dhe vetëdijes intelektuale që nuk është parë ndonjëherë.
Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi
Barazpeshimi i gjërave, vënia e një mase në veprime dhe përcaktime , qartësimi i vijës kufitare mes emocionales dhe racionales – janë parametra të cilët e hapin kapixhikun tonë të kyçur me shtatë drynjë, kapixhik ky përtej të cilit shtrihet liria dhe shtrihet ardhmëria.Por, në mesin tonë si edhe përgjithësisht në Ballkan, shumë ngadalë dhe shumë vështirë mësohen këto principe e botëkuptime, për të mos thënë se nuk mësohen e nuk përvetësohen fare.
Kazani që po zien
Kur njeriu shikon rreth e rrotull, s’ka si të mos konstatojë se të gjithë ne, me përjashtime të vogla, në veprimet dhe përcaktimet tona kryesisht po udhëheqemi nga emocionet. Po e bëjmë këtë gjë duke mos e vërejtur sa shumë po e zbehin ato shpërthime të vrullshme emocionale aftësinë dhe forcën tonë kontemplative, sa shumë po na pamundësojnë të depërtojmë në esencën e problemeve .Jeta jonë, për një kohë të gjatë sikur po zhvillohet në një kazan në të cilin zien gjithçka, kurse pesha e fjalës së argumentuar me gjithë forcën që duhet t’a ngërthejë, ka devalvuar dhe është bastardhuar deri në pakuptimësi.
Po, ne të gjithë kishim dhe kemi akoma nevojë që dikush seriozisht të punojë në drejtim të rikthimit në vetëdijen tonë të faktit se fjala e mençur dhe e qëndrueshme,jo ajo boshe, është ilaç i shpirtit e i zemrës, se fjala është forca që nxitë ndryshimin. Sepse, është e dhembshme nëse çdo gjë që rrethon njeriun është një marketing i sojit më të pështirë, për më tepër është tragjike nëse ne po detyrohemi të jetojmë e të mbijetojmë me rregullat e botës virtuale e cila pa reshtur i bombardon shqisat tona me llafe boshe, lajme e gjysmëlajme, me lajme të shpikura e të shpifura që duhet të preokupojnë interesimin tonë.
Lajme gjysmake, lajme që s’janë lajme, trillime,shpifje, manipulime,montime dhe çmontime,dezinformim dhe frikësim i opinionit me mashtrime masovike , fake news.Një shpërlarje e përgjithshme e trurit dhe vetëdijes intelektuale që nuk është parë ndonjëherë. Lobotomia, ajo procedurë e tmershme me të cilën dikur në mënyrën më invazive e me gjilpëra të posaçme ju heqej pacientëve pjesa e parme e trurit që definon personalitetin e njeriut, po na bëhet sot në mënyrë më elegante, përmes propagandës që nuk njeh limite dhe shkelë mbi të gjitha parimet etike e morale.
Sëkëndejmi, mendoj se bota shqiptare që është okupuar nga media në mesin e të cilave me qirinjë duhet kërkuar një medium që udhëheqet nga principet e përgjegjësisë profesionale , është e detyruar vehtes t’ia shtrojë sa më ngutshëm atë pyetjen stereotipe – Ku po shkojmë ne, ku po na shpiejnë ata që kanë marrë mbi vehte detyrën e krijimit të opinionit publik, ata që i kanë bashkëdyzuar propagandën dhe politikën e rrugës e kafeneve duke pjellur një përbindësh?
Njeriu dhe hija e tijë
“Po degdisemi në honet më të zeza e më të thella, s’po shkojmë askund e po vendnumërojmë, po kthehemi pas…”, thonë analistët më seriozë dhe sociologët që merren me zhvillimet brënda shoqërive shqiptare. Ata që njohin ndikimin e medias mbi masat, po trumpetojnë vazhdimisht se “gazetarët amerikanë e kanë princip të verifikojnë vërtetësinë edhe kur nëna i thotë të birit se e do shumë”.Njëkohësisht, ata që kanë njohurinë më të vogël nga politika e vlerësojnë atë vetëm si “shkathtësi për të gënjyer në çastin e duhur” ,kurse përpolitikanët thonë se janë “ njerëz që flasin shumë, dëgjojnë shumë pakë dhe fare nuk mendojnë”.
Po, ama ne s’jemi amerikanë, gazetari sikurse edhe shikuesi dhe lexuesi shqiptar që njëkohësisht përbëjnë votuesit dhe elektoratin e partive politike, nuk e kanë luksin të verifikojnë gjëra sepse në ndërkohë mundë t’ju ikë ndonjë muhabet e thashethemnajë. E në botën virtuale është e rëndësishme prezenca e përhershme, nëse nuk je prezent – nuk ekziston, zhdukesh. Asaj bote virtuale që po n’a i harxhon emocionet, ne gjithnjë e më pakë po mundë t’i themi jo dhe gjithnjë e më shumë po bëhemi të varur.
Po bëhemi të varur nga portalet e krijuara për të dhënë lajme të rrejshme, nga hapësira e internetit që ia ka hapur portat e veta dreqit e të birit, organizatave të ndryshme që destruktivitetin e vetë po e fshehin në mënyrat më të sofistikuara, turlifarë shërbimeve sekrete që botën virtuale e kanë bërë sikur bahçe të babës në të cilën mund të kultivojnë e të orientojnë trurin tonë ashtu si duan vetë e të luajnë me emocionet tona sipas tekeve.
Sidoqoftë, problemi ynë qenësor, më duket mua, qëndron te fakti se shumica e shqiptarëve nuk po merret me esencën e gjërave dhe nuk po çanë kokën për mbijetesën , shumë pakë nga ne po mendojnë për anën tonë njerëzore dhe humane. Ne po harojmë se bota virtuale nuk e prezenton njeriun, ajo prezenton hijen e njeriut dhe kur njeriu kërkon prehje në atë botë atëherë fillon t’a humbë qenien dhe thelbin e vetë.
Për këtë shkak, shqiptarëve po ju ndodhë që me rastet tmerësisht tragjike, siç janë t’a zëmë përdhunimi grupor i minorenes në Kavajë a shfrytëzimi i adoleshentes në Drenas nga arsmitari dhe nga zyrtari policor, të merren provizorisht nëpër internet. Dhe, po ju ndodhë që në vend të reagimit të fuqishëm qytetar dhe insistimit për dënime të merituara të monstrave, të fillojnë të akuzojnë viktimën.
Kapixhiku që nga honet e zeza shpie drejtë lirisë dhe ardhmërisë, edhe më tej është i mbyllur me shtatë dryna, kush do e hapë – mbetet të shohim. Në pritje e sipër, fjala e argumentuar mundë të shërbejë si ilaç për shpirtërat e tëhuajësuar. Jeta brënda kazanit do shpërthejë patjetër një ditë e do e largojë kapakun duke n’a krijuar mundësinë për të qenë vehtja.
Pajisja me dituri dhe respektimi i diturisë dhe drejtësisë, humaniteti, jeta e shëndoshë shoqërore dhe familiare, përkrahja e të varfërve dhe atyre që janë të padrejtësuar, janë segmentet që njeriu ynë duhet t’i jetësojë tërësisht, por ato nuk mësohen nga bota virtuale, ato janë vetë jeta. Këto, mes tjerash, janë pjesë e parimeve bazë të Islamit.