LSDM sonte vendos për zgjedhjet e parakohshme

Sonte partia më e madhe në pushtet, LSDM, do mbledh këshillin ekzekutiv për të vendosur nëse do të pranojë ose jo kërkesën e opozitës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare bashkë me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Nga kjo parti thonë se ka zëra që mbështesin të dy opsionet dhe për të njëjtat kanë argumente të fuqishme. Grupi i parë insiston se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do të pengojë dhe zvarris proceset reformuese dhe integruese të vendit, ndërsa grupi tjetër vlerëson se LSDM mund të fitojë një mandate të ri dhe stabil qeveritar që do të shtynte më fuqishëm përpara këto procese.

Marketing

Por edhe përkundër këtyre dilemave mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare bashkë me ato presidenciale mbetet problematike edhe për shkak të kushtit që ka vendosur opozita që të formohet Qeveri teknike 100 ditë para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve. Kuvendi shpalli zgjedhjet presidenciale për më 21 prill dhe rrethin e dytë më 5 maj, por deri atëherë tanimë kanë ngelur më pak se 80 ditë dhe nuk ka afat të mjaftueshëm për 100 ditët e qeverisë teknike të cilën e kërkon opozita. LSDM do të diskutojë sonte edhe për kandidaturën presidenciale ku në këtë parti vazhdon të jetë i hapur konkursi për kandidatë. Në këtë parti si emra me më shumë gjasa shihen ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov dhe koordinatori nacional për NATO, Stevo Pendarovski.

Vendimi përfundimtar do të merret më 5 mars në kongresin partiak. Në VMRO-DPMNE ndërkaq vazhdojnë aktivitetet promovuese të 9 kandidatëve të paraqitur në konkursin e kësaj partie. Atje si pretendent kryesor për nominimin partiak për president shihen Gordana Siljanovska dhe deputeti Vllatko Gjorçev. Këto pritet që të mësohet nëse bashkë me LSDM-në në koalicion do të garojë edhe Bashkimi Demokratik për Integrim ose kjo parti do të garojë me kandidat të saj./SHENJA/