16-vjeçarja shqiptare ikën nga shtëpia, u lë letër prindërve: “Dua një jetë më të mirë”

Viola Guri nga fshati Nikaj i Kaçanikut ka zgjedhur të ikë nga shtëpia në kërkim të një jete më të mirë, pasi që në familjen e saj po jetonte në kushte të rënda financiare. Për këtë 16 vjeçarja, do të linte edhe një letër nga ku do të ju bënte të ditur prindërve se nuk do të kthehej më. Familja po dyshojnë se dikush po e mban vajzën me substanca narkotike, ndërkaq e njëjta ka publikuar edhe video në “Snapchat”, nga ku shihet në një veturë në Rugovë të Pejës. Express ju sjell rrëfimin nga Kaçaniku.

Marketing

Në letrën e fundit që ia la familjes, shkroi se nuk po mundet të jetojë më me kushte të rënda financiare, e në kërkim të një jetë më të mirë do të largohej, pa treguar se ku e me kë. Viola Guri nga fshati Nikaj i Kaçanikut, nuk e kishte ikjen nga familja për herë të parë.

Vetëm një natë pasi që u soll në shtëpi nga Policia e Kosovës pas gati një jave kërkimi, ajo u arratis, e me anë të letrës ua bëri të ditur prindërve se nuk do të kthehet më. Problemet për 16-vjeçaren kishte një vit që kishin nisur. Që nga atëherë, ajo do të vazhdonte të ikte, e prindërit do ta gjenin në vende të ndryshme.

Kësaj here nuk ndodhi njësoj. Në javën kur atë e përjashtuan edhe nga shkolla, vajza do të zhdukej për gati një javë, e do të gjendej në Prizren nga Policia e Kosovës, që të dielën do ta dorëzonin në familje. Por, mëngjesin e së hënës ajo do të ikte përsëri, e kësaj here do të tregonte prerazi përmes letrës që i la prindërve e motrës, që nuk do të kthehej më. Gazeta Express gjatë ditës ka qëndruar në fshatin Nikaj në komunën e Kaçanikut, nga ku familjarët e Violës kanë rrëfyer për rastin.

Ata të tronditur kanë treguar se në ditën kur vajza u është sjellë në shtëpi nga Policia e Kosovës, vajza nuk kishte folur asnjë fjalë. Dyshimet e tyre janë se mund të ketë përdorur substanca narkotike, që ia ka dhënë personi apo personat me të cilët ka qenë nga e mërkura deri të dielën.

“Çika s’ka fol hiç, veç e kam vërejt, po mendoj që i kanë dhanë diçka me pi, po dyshoj se qashtu ish kanë ba flokt hakaret, sytë kuq, garant i kanë dhanë diçka”, tha babai i Violës, Agroni. Ai, gjithashtu, ka shpjeguar edhe për ditën kur vajza ka ikur.

“Të mërkurën ka dalë nga shtëpia e kam çu në shkollë, deri të dielën ka qëndru e zhdukur, të dielën është gjet, të hënën prapë është zhduk. E kanë gjetë policia e Prizrenit atë ditë të dielën në kufi a ku nuk e di po nuk m’kanë tregu. E kanë pru policia në shpi, të hënën në mëngjes ka ik prapë, prej dje është e zhdukur. E kam lajmëruar në polici rastin, nuk di ma tepër”, thoshte ai, duke shpjeguar se vajzën e kishin përjashtuar edhe nga shkolla, fillimisht nga Gjimnazi në Kaçanik, e pastaj edhe nga ai në Han të Elezit.

Agroni ka treguar edhe për përmbajtjen e letrës që la vajza, duke thënë se ajo ditën kur iku i kishte marrë edhe telefonin e tij. “Çika e ka lanë një letër, shkaku i kushteve ekonomike qashtu e ka shkru s’po muj me përballu. Shoqni s’ka pas hiç gati thuja. I kam fol e jam mundu për të mirë për to. Veç jam mundu me ia kriju kushtet me u shkollu. Nuk kam pas vërejtje n’ta, mirë ka shku mirë ka msu, vike këtu me telefon i bajke do detyra do sene. Rregullisht qetu ka nejt. Përjashtim një ditë në Han të Elezit po e kam gjetë e kam kthy në shpi”, tha ai, duke shpjeguar se njëherë kur kishte ikur e kishte gjetur me dy djem.

“Ka qenë me dy shokë, më kanë thanë ata djemtë bac ne e kemi marrë me qetësu e me pru te shpija, s’muj hi në gjynah me ata, më tha s’kam punë kurrgjë me ta, jam ul në tavolinë”, tha ai. Agroni kishte dalë të martën në kërkim të vajzës që nga mëngjesi, e sipas informacioneve që i kishin dhënë disa persona, atë e kishin parë në Prizren. Babai i Violës kishte kërkuar në Prizren e në Prevallë, por, ajo nuk ishte gjetur.

Mirëpo gjatë ditës, vajza në rrjetin e saj social “Snapchat” ka publikuar edhe disa video nga ku shihet në një veturë e videove iu kishte bashkëngjitur shkrimet, “Kalle bir se i Ferizajt je”, “U nisem, u nisem”.