Lajmi për ndarjen nga jeta të albanologut, dijetarit, profesorit dhe veprimtarit të shquar të kauzës sonë kombëtare, Akademik Idriz Ajeti na ka tronditur thellë të gjithëve.
Akademik Idriz Ajeti përfaqëson brezin e intelektualëve, të cilëve u ra barra t’i hedhin hapat e parë në ngjarjet me peshë historike për kombin shqiptar.
Me nivelin e tij intelektual, përmes studimeve shkencore albanologjike, Akademik Idriz Ajeti ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në afirmimin e vlerave kulturore dhe historike për kombin tonë.
Si intelektual i dalluar punoi pa u ndalur, u shqua për parimet dhe qëndrimet e drejta atdhetare e intelektuale, të cilave nuk iu shmang kurrë, por iu përmbajt besnikërisht gjatë tërë jetës. Kultivoi figurën e pastër e të ndërgjegjshme të intelektualit shqiptar, që mund të shërbejë si model për brezat e ardhshëm.
Akademik Idriz Ajeti u shndërrua në vlerë dhe pasuri të çmuar shpirtërore në tërë hapësirën kombëtare. Ai e kreu me nder detyrën ndaj kombit dhe atdheut, prandaj i jemi mirënjohës përjetësisht dhe do ta përkujtojmë gjithmonë me admirim e respekt.
Vepra e tij do të jetojë përjetësisht dhe do të na shërbejë si frymëzim në rrugëtimin tonë të ardhshëm, neve dhe gjeneratave që vijnë pas nesh.
I përjetshëm qoftë kujtimi për akademikun, veprimtarin, shkencëtarin dhe dijetarin e shquar, Akademik Idriz Ajeti!