Në pesë vitet e ardhshme të gjithë qytetarët duhet të marrin pasaporta të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Dokumentet e vlefshme të udhëtimit mund të përdoren deri në vitin 2024, ndërkaq në to do të vendoset vulë që në gjuhën maqedonase, angleze dhe frenge, shpjegohet se “Pasaporta është në pronësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Sipas Marrëveshjes së Prespës, dokumentet e vjetra mbeten të vlefshme deri në përfundimin e afatit teknik prej 5 vitesh. Deri atëherë, gjatë hyrjes dhe daljes nga Maqedonia, në pikat kufitare do të vendoset kjo vulë.
Kjo masë e cila është pjesë e planit të Grupit punues ndërdikasterial për kryerjen e detyrimeve të Marrëveshjes së Prespës, filloi të zbatohet prej dje. Lëshimi i pasaportave të reja duhet të fillojë nga fundi i vitit 2019.
Pasi që Maqedonia edhe zyrtarisht e ka marrë notën verbale greke se ka përfunduar ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës dhe të Protokollit për anëtarësim në NATO, Qeveria bëri të ditur se zyrtarisht fillon zbatimi i emrit të ri kushtetues Republika e Maqedonisë së Veriut. Ndërrimi i dokumenteve të udhëtimit me emrin e ri të shtetit do të jenë në barrë të qytetarëve.
Sot përfundon afati i vendosjes së afisheve apo ndërrimit të tabelave nëpër pikat kufitare ku shkruhet emri i ri kushtetues i shtetit. Mbishkrimi i parë me emrin e ri kushtetues “Republika e Maqedonisë së Veriut” u vendos në pikën kufitare “Bogorodicë” në kufirin me Greqinë.
Në pajtueshmëri me Marrëveshjen e Prespës, në afat prej 4 muajve do të përfundojë ndryshimi i të gjitha tabelave në nivel shtetëror dhe lokal. Në afat prej dy javëve edhe Ministria e Jashtme do të duhet të ndërrojë tabelat dhe vulat në Ministri. Përfaqësitë diplomatike konsullare për këto veprime kanë afat prej 3 javëve. Ministria e punëve të brendshme do të fillojë me dhënien e tabelave të reja të regjistrimit në afat prej katër muajve. Në ndërkohë si zgjidhje të përkohshme MPB do të sigurojë afishe me shenjën NMK për tabelat e regjistrimit nëpër vetura. Ato do të jepen gjatë hyrjes dhe daljes nga vendi, nëpër pikat kufitare.