Anti-korrupsioni hap procedurë për 18 persona

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit do të hetojë mënyrën e punësimeve që nga viti 2015. Sot anëtarët e komisionit njoftuan se kanë nisur hetimet për 18 persona që janë në lidhje familjare me funksionarë të lartë.

Marketing

Ndërkohë, deputetja e LSDM-së, Mira Stojçevska, e ka informuar komisionin se djali dhe vëllai i saj janë të punësuar në kompani shtetërore. Përveç Stojçevskës, të njëjtën gjë para disa ditësh e ka bërë edhe deputeti i shumicës parlamentare, Goran Misovski, për djalin e tij. Nga komisioni njoftojnë se të gjitha punësimet nën ombrellën e shtetit, që janë të dyshimta, do të hulumtohen. Kryetarja e Anti-korrupsionit lexoi emrat ndaj të cilëve ka hapur procedurë.

“Ilio Stojçevski, Viktor Stojçevski, Cvetan Velevski, Besia Xhaferri, Nadica Dellkova, Hidajete Alili, Kristijan Misoski, Fanija Konstadinova, Vlora Bekteshi, Lila Pekevska, Maria Josifofska Borçe Popovski, Meri Popovska, Stojçe Georgiev, Marsida Remçilloviç, Sara Aleksandrova, Cvete Stojanoska, Lubisav Nestorovski. Kjo është faza e parë dhe më tej lista do të rritet, do të bëjmë përfshirje, minimum prej vitit 2015 e këtej, prej kur ka hyrë në fuqi Ligji për nëpunës administrativë dhe Ligji për të punësuarit në sektorin publik”,- deklaroi kryetarja e KPPK-së, Biljana Ivanovska.

Ministri i shoqërisë informatike njoftoi se kryeministri Zaev do t’i ftojë të gjithë të punësuarit nën ombrellën e shtetit që janë të afërt me zyrtarët, të pezullohen me qëllim që të marrë fund praktika e nepotizmit, e cila zgjatë më shumë se një dekadë.

“Kryeministri Zaev do t’i ftojë të gjithë ata që janë të involvuar në raste të këtilla, diku ka bazë dhe diku jo, por megjithatë të tërhiqen nga këto pozicione me qëllim që ta ndërpresim këtë praktikë, e cila për fat të keq një dekadë mbrapa është instaluar dhe edhe tani na shkakton problem”,- tha ministri i shoqërisë informatike, Dejan Mançevski.

Ndryshe, në Qeveri po përgatitet ligj i ri për emërimin e pozicioneve udhëheqëse në kompanitë dhe institucionet shtetërore. Komisioni i pavarur i përbërë prej anëtarëve të cilët nuk vijnë nga institucionet shtetërore do të bëjnë dhënien e pikave për personat që do të konkurrojnë për funksionarë të ardhshëm. Ky komision do të duhet të dorëzojë listë në qeveri, nga e cila do të zgjedhë zyrtarin.