Basha, dy rrugë për Ramën: Para drejtësisë, ose si Gruevski!

Lulzim Basha zgjodhi dy simbolika për të përmbyllur turin e tij të takimeve, që i paraprinë protestës së të shtunës. E para ishte ajo me studentët, para Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, si për të shënuar rebelimin studentor të dhjetorit të kaluar.

Marketing

“Dita e nesërme është dita e rinisë shqiptare. Nesër shqiptarët do ta vendosin përpara dy alternativave: përpara drejtësisë, ose në azil politik t’i bashkohet Gruevskit”, tha Basha.

Simbolika e dytë e Bashës ishin banorët e “Unazës së re”, te të cilët shkoi në këmbë, i shoqëruar nga mbështetës të ndryshëm. 105 ditë protestë – sipas kryedemokratit, – treguan se qëndresa e bashkuar dha frytet e veta.

“Shikojini fytyrat e banorëve të Unazës, shtëpitë e tyre nuk arriti t’i prishte arroganti. Po bëhet gati t’ia mbathë. Nesër në Vlorë, pasnesër në azil. Ky është shembulli konkret i forcës që keni në duar”, tha Basha.

Sipas Bashës, qeveria është kapur duke vjedhur pasuritë e shqiptarëve dhe votat e tyre, arsye për të cilat do të duhej të ishte ndëshkuar nga drejtësia dhe vota.

“Por këto dy shtylla përkohësisht kanë rënë. E vetmja shtyllë që nuk bie jeni ju, sovrani! Nesër, vetëm ju keni në dorë të diktoni një ndryshim. Ju mund, duhet dhe do ta ndryshoni. E vetmja gjë që duhet është të jemi bashkë, në protestën më të madhe popullore dhe QYTETARE që ka njohur Shqipëria”, theksoi Basha.

Përmes protestës së të shtunës, demokratët kërkojnë krijimin e një qeverie tranzitore, që do të mundësojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.