U liruan dy pacientë nga Spitali i përgjithshëm i qytetit “8 Shtatori”. Pacientët erdhën dhe i morën familjarët e tyre. Ato ishin në gjendje të mirë, mirëpo nuk deshën të flasin para kamerave. Në këtë spital ka edhe 16 pacientë të tjerë.
Një nga to është edhe studentja, 22 vjeçare, e cila është me lëndime të lehta. Për gjendjen e saj foli i ati që kishte ardhur sot për ta vizituar. Ai thotë se Dilara ka qenë në gjumë në autobus, kur ka ndodhur aksidenti dhe se nuk i kujtohet asgjë nga dita e 13 shkurtit.
“Ndoshta pas 2-3 javësh e bëjnë përsëri operacion, por gjendjen e ka shumë të mirë. Si ndodhi, ajo nuk mban shumë mend ka qenë në shok, ajo thotë se ka fjetur dhe pastaj veten e ka parë jashta, kur e kanë nxjerr nga autobusi”, theksoi Vait Aliji.
Gjendja e pacientëve që janë në gjendje kritike vazhdon të jetë e njëjtë. Në Spitalin “8 Shtatori” dy të lënduar janë në ventilim mekanik. Kurse në Klinikën “Nënë Tereza” ka dy persona në ventilim mekanik dhe vajza 19 vjeçare e cila po lufton me jetën. Ilir Hasani deklaroi se këto dy pacientë janë vazhdimisht në përkujdesje të ekipit mjeksor dhe se përballen me rrezik për jetën.
“Në qendrën kirurgjikale numri i të pranuarve është dhjetë prej të cilëve katër prej tyre nuk janë më në klinikë për shkak se janë lëshuar në trajtim shtëpiak. Në qendrën e trajtimit intensiv, gjegjësisht në klinikën e anestezisë dhe reanimacionit gjenden katër të lënduar.
Dy prej tyre janë në gjendje shumë të rëndë, në gjendje kritike, ku përballohen me të qenurit ose të mos qenurit. Ekipet tona profesionale e përcjellin gjendjen e tyre çdo moment. Sa i përket dy pacientëve të tjerë që gjenden në trajtimin intensiv janë me lëndime të rënda trupore por për momentin janë në gjendje stabile”, tha Ilir Hasani mjek.
Sipas deklaratës së djeshme të drejtorit të këtij spitali sot duhej të lëshoheshin në mjekim shtëpiak pesë pacientë, por u lëshuan vetëm dy prej tyre. Të tjerët pritet të lëshohen nesër. Për momentin në Spitalin “8 Shtatori” janë të shtrirë 16 pacientë, ndërsa në Klinikën “Nënë Tereza” 6.
Familjarë dhe miq të cilët kishin ardhur të vizitonin pacientët me lëndime më të lehta, thonë se gjendja e tyre po shkon drejt përmirësimit dhe shpresojnë se për disa javë të gjithë do të lirohen.