Bullgaria ratifikoi Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO

Parlamenti i Republikës së Bullgarisë sot e ratifikoi Protokollin për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO. Për ratifikimin votuan 140 deputetë, ndërsa kundër dhe të përmbajtur nuk pati.

Marketing

Në seancën plenare në të cilën mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, fjalim pati edhe zëvendësministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva e cila tha se momenti i bashkimit të Maqedonisë së Veriut në NATO është historik për Aleancën.

“Bullgaria është mbështetëse e përhershme për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në NATO. Bullgaria e pranoi angazhimin të punojë në përforcimin e procesit për integrimin euroatlantik të vendit si edhe për reforma të brendshme dhe për stabilizimin e rajonit”, tha Zaharieva.

Ajo theksoi se politika e zgjerimit të NATO-s vlerësohet si një prej instrumenteve më të suksesshme për prosperitet.
“Të nisur prej kësaj bindje disa qeveri bullgare sollën vendime për dakordimin e memorandumeve me Republikën e atëhershme të Maqedonisë. Rruga për bashkimin drejt NATO-s ishte e lehtë për fqinjët tanë, ushtrimet e përbashkëta të armatave tona do të kontribuojnë për zhvillimin e aftësive tona”, theksoi Zaharieva.

Bullgaria, shtoi ajo, do të vazhdojë ta ndihmojë procesin e reformave të brendshme në Maqedoninë e Veriut të cilat janë të domosdoshme për marrjen e anëtarësimit.

“Anëtarësimi në NATO shënon një etapë të re në marrëdhëniet midis dy shteteve. Me rëndësi të shkallës së parë është të vazhdojë puna e përmirësimit të ndërtimit infrastrukturor të rrugëve dhe rrugëve magjistrale. Kështu do të hapen mundësi për investitorë të ardhshëm që do të ndihmojë për zhvillimin e ekonomive tona”, tha shefja e diplomacisë bullgare e cila e përshëndeti praninë e ratifikimit të kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Xhaferi.

Në seancë nuk morën pjesë deputetët e partisë socialiste bullgare në opozitë. Ata për disa ditë janë duke e bojkotuar Parlamentin për shkak të ndryshimeve të Kodit zgjedhor.