Rama: Opozita po pengon çeljen e negociatave

“Edhe në opozitë, ata janë përsëri një pengesë e madhe për rrugën tonë të zhvillimit dhe përparimit”, deklaroi nga Puka Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama duke komentuar sjelljen e opozitës.

Marketing

Nga takimi me banorë të Pukës në kuadër të turit “Bashkia që duam”, Kryeministri i Shqipërisë u ndal te dallimi që ekziston mes mazhorancës dhe opozitës, që sot ka dalë hapur si pengesë për ecurinë e mëtejshme të vendit tonë drejt çeljes së negociatave dhe janë kthyer në bojatisës me pahir të një imazhi të papëlqyeshëm për vendin”.

“Pa asnjë vizion, program zhvillimi, alternativë, ide apo lidership, por thjesht bam e bum, ku rafsha mos u vrafsha dhe punë e madhe se po bie e po vritet shpresa e njerëzve të zakonshëm nga sjellje dhe akte të papranueshme”, – tha Rama, duke iu referuar qëndrimit të opozitës.

Se çfarë ka bërë opozita e sotme për Pukën dhe Shqipërinë, sipas kreut të Qeverisë, “qytetarët i dinë mirë dhe i mbajnë mend”.

“Ky shesh sot jemi ne, ai shesh që ishte dje këtu janë ata. Ajo pasqyrë aty jemi ne, ajo gropë me plehra janë ata dhe kështu në çdo aspekt, sepse në fund të fundit politika nuk mund të matet me çfarë thotë njëri dhe tjetri, por se çfarë bën njëri dhe tjetri”,  tha Rama, duke folur për investimet në Pukë.