Për 30 për qind do të rriten pagat e inspektorëve

Pagat e inspektorëve do të rriten për 10 për qind në fillim të vitit të ardhshëm dhe do të arrijnë rritje për 30 për qind në vitin 2022. Kapaciteti i shërbimeve inspektuese të përforcohet me kuadër të re, ndërsa gjatë sanksionimit të vendoset rregull për vërejtje para caktimit të dënimit, parashikon Ligji i ri për kontroll inspektues, i miratuar në seancën e fundit qeveritare.

Marketing

“Me ligjin parashikohet dinamika për rritje të pagave, por përparësi do të kenë shërbimet inspektuese të ekspozuar në rrezik më të madh, për shembull si Inspekcioni i tregut. Ata punojnë edhe në mbrëmje në klubet e natës ku ka persona të alkoolizuar, shpesh herë edhe janë sulmuar. Nuk është e njëjtë të jesh inspektor i tregut dhe inspektor në arsim”, tha sot në konferencën për shtyp ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski.

Analizat e të gjitha shërbimeve inspektuese kanë treguar mungesë të kuadros në nivel lokal dhe shtetëror. Që të mundësohen punësime të reja vendoset edhe sistem i ri për marrje të licencave për inspektor dhe për trajnimin e tyre të përhershëm dhe përkryerjes profesionale.

“Shifra e tanishme prej 1.000 inspektorëve është absolutisht e pamjaftueshme që të arrihet gjithçka. Me rregullat e tanishme që nuk përgjigjen me realitetin askush nuk do të mund të bëhet inspektor në disa vite të ardhshme. Tani e hapim mundësinë dhe çdo shërbim inspektues sipas mundësive të tyre do të duhet të bëjë punësime”, citoi ministri.

Ai konsideron se ligji i ri do të krijojë klimë të volitshme të punës për inspektorët dhe subjektet në kontroll. Ndikim më i madh pozitiv pritet për ndërmarrjet e vogla, të cilat, përkujtoi Mançevski shpesh herë duhet të mbyllin për shkak të parregullsive të konfirmuara gjatë kontrollit inspektues, pa u dhënë shans t’i mënjanojnë.

Vendoset edhe koncept i ri i kontrollit inspektues përmes planifikimit të inspekcioneve në bazë të vlerësimit të rrezikut. Inspekcionet, ka potencuar ministri resor, nuk do të munden më të shfrytëzohen si mekanizëm për presionin politik ose ekonomik. Si rregull vendoset vërejtja para caktimit të dënimit.

“Kontrolli inspektues duhet të ndalet të jetë mekanizëm për mbushjen e buxhetit. Kontrolli inspektues duhet së pari ta ketë rolin këshillëdhënës. Subjektet së pari do të marrin vërejtje dhe afat ta mënjanojnë parregullsinë, para se të caktohet dënimi. Vetëm në mënyrë të tillë inspekcioni nuk do të perceptohet si represion”, sqaroi Mançevski duke potencuar se përjashtim i kësaj do të jenë rastet kur inspektori do të vlerësojë se parregullsitë e konfirmuara mund të shkaktojnë rrezik për jetë dhe shëndetin e qytetarëve”, dëm financiar, rrezikim të mjedisit jetësor ose rrezikim të interesit publik.

Zgjidhja e re ligjore duhet të sigurojë edhe parashikueshmëri të kontrollit inspektues përmes listës për kontroll. Çdo subjekt i cili është lëndë e kontrollit inspektues, para vizitës së inspektorëve, do të marrë listë të dokumenteve konkrete dhe informatave të cilat duhet t’i sigurojë. Me atë gjatë takimit me inspektorët, subjektet do të jenë të gatshëm dhe kontrolli inspektues do të zgjasë më pak. Miratimit të ligjit i kanë paraprirë shumë debate publike.