Qytetarët me vetëdije të ulët ekologjike

Dëmtimi i të mirës publike në Shkup, nuk ka të ndalur. Në kohë kur kryeqendra ballafaqohet me një shkallë të lartë të ndotjes së ajrit, djegia e kontejnerëve për bërllok po thuajse është bërë përditshmëri. Drejtori i “Higjienës Komunalë” –Shkup, Abdusamed Shabani, kur flet për këtë fenomen destruktiv, thotë se djegia e kontejnerëve në Shkup, shpesh herë ndodh nga pakujdesia e qytetarëve, shkruan gazeta KOHA.
“Zakonisht djegia e kontejnerëve publik për mbeturina ndodh për shkak të vetëdijes së ulët të qytetarëve. Në të shumtën e rasteve kemi vërejtur se djegia e tyre ndodh gjatë orëve të vona të natës. Hedhja e mjeteve të nxehta mendohet të jetë arsyeja kryesore që e shkakton djegien e kontejnerëve. Për këtë problematike ne e kemi informuar Inspektoratin përkatës në Qytetin e Shkupi, përfshi edhe Komunat ku regjistrohen këto raste, duke mos anashkaluar edhe policinë. Mirëpo, fatkeqësisht kjo dukuri ende është prezentë në mesin tonë”, sqaron Shabani, për gazetën KOHA. Rasti i fundit me djegien e kontejnerëve u regjistrua në afërsi të tregut të Bit Pazarit. Për shuarjen e flakës që kishte kapluar mbi dhjetë kontejnerë u dashtë të intervenoj edhe njësia e zjarrfikëseve. Autoritet lokale vlerësojnë se më dëmtimin e të mirës publike, në këtë rast të kontejnerëve qytetarët i shkaktojnë dëm vetvetes. Prolongimi i grumbullimit të mbeturinave dhe bërllokut që hidhet gjithandej, jo rrallë herë ndodh për arsye se në lokacione të caktuar janë dëmtuar kontejnerët.

Marketing

Ndryshe, Shkupi, në krahasim me kryeqendrat e rajonit mund të llogaritet si kryeqyteti i vetëm i cili nuk disponon me polici komunale. Për momentin në kuadër të Qytetit të Shkupit janë të angazhuar nëntë inspektor komunal dhe gjashtëmbëdhjetë gardian, të cilët kanë kompetenca të kufizuara sa i përket kontrolleve dhe shqiptimit të gjobave. Nisma e Qytetit të Shkupit, për miratimin e Ligjit për polici komunale, është inicuar në shtator të vitit të kaluar, mirëpo e njëjta deri më tani nuk është diskutuar në asnjë mbledhje të Qeverisë, aq më pak është dorëzuar për shqyrtim në Parlament.

Mbase kompetencat aktuale të inspektorëve komunal nuk ju mundësojnë kontrollin e përgjithshëm në kryeqytet, administrata e Qytetit të Shkupit synon që policia komunal të ketë të drejtë sanksionimi si për hedhje të bërllokut, gjegjësisht për parkim të gabuar, uzurpim të hapësirës publike, për tezgat e egra dhe shkelje të ngjashme. Njëkohësisht sipas praktikës së Qytetit të Beogradit, në 5 mijë banor është caktuar një polic komunal, gjegjësisht analizat paraprake të Qytetit të Shkupit thonë se policia komunale në Shkup mund të numëroj nga 100 deri në 120 nëpunës policor. Koha.mk