“KSHPK do të luftojë me argumente kundër presioneve eventuale”

Partitë politike janë pjesë e Parlamentit ku miratohen ligjet dhe kanë përgjegjësi që t’i respektojnë ligjet që vetë i kanë votuar. Kështu më së miri do të dalim në rrugë të mbarë, ndërsa KSHPK-ja do të punojë në përputhje me kompetencat e përcaktuara me ligj.

Marketing

Kjo është porosia e kryetares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska, që në intervistën për MIA-n ua adresoi të gjitha partive politike dhe pjesëmarrësve tjerë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Thekson se deri tani Komisioni nuk ka pasur presione, ndërsa përgjigje kundër presioneve eventuale do t’u jenë argumentet dhe faktet. Ajo bën të ditur se në funksion të realizimit të suksesshëm të obligimeve të rregullta në luftën për parandalimin e korrupsionit, do të duhet të punohet edhe në forcimin e kapaciteteve dhe kompletimin ekipor të shërbimit profesional, Komisionit. Shprehet se nuk është vështirë të punohet, por koha në të shumtën e rasteve është e shkurtër që të mund t’u përgjigjet të gjitha kërkesave nga mediat në drejtim të punës transparente të KSHPK-së.

A do të jenë 18 lëndët që i hapët për nepotizëm në punësimin e të afërmve të funksionarëve dhe deputetëve nga pushteti testi i parë për atë nëse do të arrini t’i përballoni presionet në luftën kundër nepotizmit dhe korrupsionit? Kjo veçanërisht për shkak se për herë të parë anëtarët e KSHPK-së janë zgjedhur në mënyrë transparente në konkurs publik?

– Komisioni është zgjedhur në mënyrë transparente, para opinionit. Në zgjedhje morën pjesë përfaqësues të shoqatave civile dhe mediave që kishin rastin të parashtrojnë pyetje sipas zgjedhjes së tyre, gjë që kontribuoi për zgjedhje cilësore. Duke marrë parasysh ndjeshmërinë e çështjeve që kanë të bëjnë me punësimet, Komisioni menjëherë hapi 18 raste që në periudhën e ardhshme do të shqyrtohen dhe në përputhje me afatin ligjor prej së paku dy muajve, do të dorëzojë rezultate, prej të cilave opinioni do të ketë rastin të vlerësojë nëse kemi punuar nën presion. Deri tani nuk kemi pasur presione por në rast se ndodhin, në anën tonë gjithmonë do të jenë argumentet dhe faktet, meqë kjo është arma jonë me të cilën do të luftojmë.

KSHPK-ja ka autorizime dhe kompetenca të rritura … tash keni qasje në llogaritë bankare të funksionarëve të zgjedhur… cilat autorizime plotësuese do t’ju ndihmojnë në ushtrimin e punës?

– Me kompetencat e reja Komisioni duhet të lidhet në mënyrë elektronike me më shumë baza të të dhënave të më shumë institucioneve duke filluar nga kadastra, Drejtoria e të Ardhurave Publike, MPB-ja dhe një varg institucionesh tjera, të dhënat e të cilave do të na nevojiten për të bërë kontrollimin e gjendjeve në përputhje me kompetencat që janë parashikuar me ligj, siç janë paraqitja e saktë e gjendjes pronësore, ekzistimi i konfliktit të interesave dhe ngjashëm. Mirëpo, Komisioni nuk mund të fillojë menjëherë t’i ushtrojë kompetencat e tyre për shkak se nuk ka siguruar kushte materiale-teknike për punë. Para së gjithash na pret një detyrë për të siguruar hapësirë në të cilën do të mund të instalojmë pajisjen që do të na mundësojë lidhjen me institucionet e sipërpërmendura. Pres që kjo të zgjidhet shumë shpejtë.

Pasi ta vëmë pajisjen në funksion dhe të instalojmë softuerin që do të na sigurojë kontroll të drejtpërdrejt të të dhënave në Fletët anketuese, do të jemi të sigurt në besueshmërinë e Fletëve anketuese. Në këtë mënyrë do të mund të kontrollohen për një kohë shumë të shkurtër me çka do të kursejmë resurse njerëzore dhe kohë, si dhe do të sigurojmë të dhëna të sakta për opinionin.

Si do të plotësohet hapësira vakuum nga dy vitet e fundit kur edhe nuk funksiononte KSHPK-ja, ndërsa për tetë vitet e kaluar mund të themi se “nuk punonte”?

– Ka shumë lëndë që kanë mbetur, por ne do të nisemi nga ajo që momentalisht është më e ndjeshme. I hapëm rastet me punësimin, më tutje na presin zgjedhjet presidenciale, në të cilat do të punojmë paralelisht. Përparësi do t’u japim situatave aktuale. Megjithatë, jemi të obliguar të kontrollojmë gjithçka që ka mbërritur në KSHPK-në.

Në prag të zgjedhjeve presidenciale sa është e gatshme KSHPK-ja të ndjekë fushatën zgjedhore nga aspekti i financimit të partive politike?

– Me ligjin e ri Komisioni ka mundësi ta ndjekë fushatën zgjedhore të partive nga aspekti i financimit të tyre, për çka Komisioni është duke zbatuar aktivitete përkatëse. Jemi në rrjedhë të vendosjes së memorandumit për bashkëpunim me Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe Entin Shtetëror për Revizion. U morëm vesh që cilat aktivitete t’i ndërmarrim, veçanërisht në pjesën e shpërdorimit të mjeteve buxhetore dhe resurseve njerëzore që janë të angazhuar në administratën shtetërore, veçanërisht nga aspekti i keqpërdorimit të orarit të punës dhe mjeteve materiale që janë në dispozicion të organeve shtetërore. Gjithashtu, do ta ndjekim fushatën zgjedhore në pjesën e asaj se çfarë është gjithë ajo që është përfshirë nga partitë politike për fushatën dhe nëse janë financuar nga llogaria e zgjedhjeve ose nga ndonjë burim tjetër. Do të tentojmë që në të gjitha mënyrat e mundshme dhe me të gjitha resurset në dispozicion që i kemi ta mbulojmë këtë pjesë. Prandaj, i bëj thirrje opinionit, OJQ-ve dhe mediave, të gjithë të paraqitemi në mënyrë unike, secili që do të vjen deri te ndonjë informacion për përdorim joadekuat ose keqpërdorim të parave të shtetit, ta informojë KSHPK-në.

Krahas mjeteve financiare në dispozicion nevojiten edhe resurse plotësuese njerëzore me qëllim që të luftoni në mënyrë më cilësore kundër korrupsionit, si përforcim plotësues?

– Po, ka nevojë. Tani jemi duke u njoftuar me sektorët e KSHPK-së, me punën dhe kompetencën e tyre, si dhe me resurset njerëzore në dispozicion. Është evidente se me gjithsej 20 të punësuar nuk mund të përmbushen të gjitha obligimet dhe kompetencat. Do të duhet paralelisht të realizohet edhe procesi i forcimit të kapaciteteve dhe kompletimi ekipor i Komisionit.

Si mund të jetë një qytetar i rëndomtë kallëzues, por edhe të jetë i informuar nga KSHPK-ja për proceset?

– Secili mund të parashtrojë kallëzim, kallëzuesit janë të mbrojtur me Ligj, por kallëzimet mund të jenë edhe anonime nëse qytetari nuk dëshiron t’i japë të dhënat e tij personale. Për ne është me rëndësi informacioni, e jo se kush na i ka dhënë. Edhe këto lëndë për punësimet i iniciuam sipas zërit të dëgjuar publik nga mediat.

A është vështirë të jesh kryetar i KSHPK-së?

– Nuk është vështirë të punohet, por koha në të shumtën e rasteve është e shkurtër që të mund t’u përgjigjemi të gjitha kërkesave nga mediat në drejtim të punës transparente të KSHPK-së.

Temat janë të ndjeshme, i prekin të gjithë, kërkohen informacione, mungon pak kohë.