“Interes i përbashkët është që Maqedonia e Veriut të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së”. Kështu kanë konstatuar ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut Nikolla Dimitrov dhe ministrja e jashtme Bullgare, Ekaterina Zaharieva.
Gjatë takimit në Sofje, Zaharieva ka nënvizuar se ratifikimi i shpejtë i Protokollit për anëtarësim në NATO është shembulli i mirë për mbështetjen e fuqishme që Bullgaria i jep Maqedonisë së Veriut. Ministri Dimitrov, deklaroi se pas nënshkrimit të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, është bërë avancim i madh i bashkëpunimit mes Shkupit dhe Sofjes.
Ai nënvizoi se afrimi i dy vendeve nuk duhet të jetë vetëm politik, por edhe ekonomik. Ministrat e jashtëm, njoftuan edhe takimin e Komisionit të përbashkët ekonomik, që do të mbahet në mars, në të cilin do të marrin pjesë mbi 100 kompani bullgare.
Duhet ta përmirësojmë padrejtësinë historike të infrastrukturës së keqe që e kemi mes dy shteteve. Duhet ta stimulojmë biznesin dhe qytetarët e dy vendeve të bashkëpunojnë, të lidhen dhe të ndërtojnë miqësi. Biznesit i duhet infrastrukturë e re për shkak se është mëkat që 288 kilometra të kalohen për katër orë- deklaroi Ekaterina, Zaharijeva, ministre e Punëve të Jashtme të Bullgarisë.
Kur Bullgaria dhe Maqedonia jonë, tani Republika e Maqedonisë së Veriut nuk janë afër, flasim shumë për historinë, kjo është fakt anti-historik. Është e jona që në baza të shëndosha ta përmirësojmë atë gabim, këtë e filluam me këtë faqe të re. Do ta shkruajmë me afrim, me përmirësimin e gabimeve të reja, me infrastrukturën, me bashkëpunimin ekonomik. Kjo tashmë u ngjall- deklaroi NIkolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut.