Kostovski: Kisha mundësi për krijimin e profileve, por asnjëherë nuk kam shënuar numra

Me marrjen në pyetje të “informatorit” të dytë Xvonko Kostovski sot në Gjykatën penale të Shkupit vazhdoi seanca për lëndën “Target – Fortesa” të Prokurorisë Speciale Publike.

Marketing

“Kisha mundësi për të krijuar profile, llogari shfrytëzuese, raste dhe nënratse, por asnjëherë nuk kam shënuar numra, përveç gjatë kontrollit të sistemit kur e shënova numrin tim për të kontrolluar nëse punon sistemi ose jo”, ka thënë Kostovski, i cili ishte top-administrator i sistemit për ndjekjen e komunikimeve.

Kostovski së bashku me Gjorgjo Lazarevskin, si zbulues nga Drejtoria për siguri dhe kundërzbulim i nxorën “bombat” dhe ia dorëzuan ish-drejtorit të DSK-së, Zoran Verushevski.

Në lëndën “Target- Fortesa” të PSP-së të akuzuar janë ish shefi i Drejtorisë së Pestë të MPB-së, Goran Grujevski Nikolla Boshkovski, ish ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska, ish shefi i DSK-së Sasho Mijallkov, shefi i kabinetit të Mijallkovit, Toni Jakimovski, Vlladimir Varelov nga DSK dhe pese persona tjera nga Drejtoria.

Sipas aktakuzës, përmes tre sistemeve për ndjekjen e komunikimeve në DSK, në periudhën prej 2008 deri në vitin 2015 ilegalisht janë ndjekur 4.286 numra telefonash për të cilët nuk është dhënë urdhra gjyqësorë.

Komunikimi ishte ndjekur para se të jepeshin dhe pas skadimit të kohëzgjatjes së urdhrave gjyqësorë të 1.541 numrave ose gjithsej  5.827 numrave telefonikë. Ishin përgjuar mbi 20 mijë qytetarë.