Lazio e Milan ndahen baras

Lazio nuk qe në gjendje t’i shfrytëzojë mundësitë dhe dominimin ndaj Milanit duke barazuar pa gola në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Italisë të martën në Romë.

Marketing

Ciro Immobile lëshoi mundësinë më të mirë për Lazion kur qëlloi shtyllën pasi e paraboloi Gianluigi Donnarumman pasi u gjend i vetëm përballë tij në fund të ndeshjes, duke lënë të hapur gjithçka për ndeshjen e kthimit në San Siro më 23 prill, raporton Gazeta Express.
Skuadra e Gennaro Gattusos pati vetëm një goditje në kornizën e portës së portierit të Shqipërisë, Thomas Strakoshës në një paraqitje të dobët.

Lazianët ishin skuadër dukshëm më e mirë duke kontrolluar topin dhe krijuar më shumë.
Por, Immobile dhe Sergej Milinkovic-Savic nuk ishin në gjendje t’i shfrytëzonin mundësitë e ofruara gjatë 90 minutave.

Mesfushori i Kosovës, Valon Berisha, mungoi te Lazio shkaku i lëndimit muskulor, ndërsa Riza Durmishi, shqiptari i Danimarkës, ishte në stol dhe s’u aktivizua fare.
Ndeshja tjetër gjysmëfinale në Kupën e Italisë mes Fiorentinës dhe Atalantës zhvillohet nesër.