Deri më 9 mars kandidatët për president mund të mbledhin nënshkrimet e qytetarëve për të garuar në Zgjedhjet Presidenciale. Deri në ditën e fundit të shkurtit në KSHZ janë paraqitur pesë kandidat, prej të cilëve Gordana Siljanovska-Dafkova nga radhët e VMRO DPMNE-së ka siguruar këtë status. Deri dje, kandidati i mundshëm Amdi Bajram ka mbledhur 3442 nënshkrime, Dimçe Petrevski 222 nënshkrime, Filip Petrovski 847 nënshkrime, kurse kandidati i mundshëm Josif Miçevski aktualisht ka siguruar vetëm 7 nënshkrime.
“Të gjithë të interesuarit munden që deri në ditën e fundit, që sipas ligjit është 9 marsi, të përpiqen të mbledhin nënshkrime në zyrat tona rajonale. Në diasporë gjithashtu janë të hapura zyrat në përfaqësitë diplomatike-konsullore, të cilat janë duke funksionuar ashtu siç duhet”, pohoi Oliver Derkoski, Kryetar i KSHZ-së.
Rreth 3 mijë qytetarë rrezikojnë të mos jenë të regjistruar në listën e zgjedhore për Presidencialet, të cilët deri më 8 shkurt nuk i kanë marr dokumentet e identifikimit.
“Ata të cilët i kanë marrë letërnjoftimet pas 8 shkurtit nuk janë në Listën Zgjedhore dhe të njëjtit i ftojmë të bëjnë shikimin publik në ueb faqen tonë dhe të bëjnë kërkesë në Njësitë rajonale që të njëjtit t’i vendojmë ne në Listën Zgjedhore”, tha Ditmire Shehu, nënkryetare e KSHZ-së
Në këto zgjedhje për herë të parë fushata mediatike do të paguhet nga buxheti i shtetit. KSHZ do të mbikëqyrë fushatën edhe për 68 ueb portalet, të cilave u kanë dhënë akreditim për këtë proces zgjedhor. Në seancën e sotme u vendos edhe për ndryshimin e rregullores së KSHZ-së, konform ndryshimeve kushtetuese me emrin e ri të shteti dhe përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.