Keqpërdorimi i konkurseve për punësim, flet ministri Mançevski

Ministria e Shoqërisë Informatike paralajmëron ndryshime në Ligjin për shërbyesit administrativ dhe Ligjin për nëpunësit në sektorët publik. Kjo bëhet me qëllim largimin e të ashtuquajturit balancer i cili përcakton përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në administratën publike, që në të shumtën e rasteve është vërtetuar se është keqpërdorur.

Marketing

Rasti i fundit ishte ai me nëpunësen në Drejtorinë për Ekzekutimin e Sanksioneve, ku nëpunësja Biljana Zefiq, duke u deklaruar si shqiptare, ka zënë vendin e punës i cili në konkurs ka qenë i paraparë për shqiptar.

Damjan Mançevski paralajmëroi komisionin ndër-resorësh i cili do t’i rekomandojë institucioneve përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.

Ideja është që balanceri si i tillë, në nivelin qendror të mos përdoret por të krijohet mekanizëm tjetër i cili do ta realizojë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Kur flasim për shqiptarët, ata në sektorin publik janë 19,2 për qind gjë që duhet punuar akoma. Parashikojmë pra një mekanizëm ku një komision ndër-resorësh, e përbërë nga përfaqësues të institucioneve të ndryshme do ta monitorojë përfaqësimin e drejtë nëpër sektorë dhe me këtë do të rekomandojë kuota të caktuara për vitet e ardhshme – tha Damjan Mançevski, Ministër i Shoqërisë Informatike.

Komisioni për Vlerësim nuk do të ketë kompetenca të zgjeruara, por kandidatët gjatë intervistimit do t’i nënshtrohen një procesi më të detajuar, duke larguar mundësinë që të keqpërdoret hapësira ligjore për t’u deklaruar me etni tjetër me qëllim që të zihet vendi i punës.

Askush nuk mund të ma imponojë mua përkatësinë etnike, nesër mund të dua të jem shqiptar ose spanjoll. Ajo është e drejtë e imja e garantuar. As në Kushtetutë nuk ka dispozita të cilat do të imponojnë përkatësinë etnike. Për këtë arsye parashikojmë ndryshimet që do t’i parandalojnë këto raste dhe mbi gjitha menaxheri i institucionit do të mbaj llogari për nëpunësit e tij – u shpreh Damjan Mançevski, Ministër i Shoqërisë Informatike.

Edhe pse raste të tilla si ai me Biljana Zefiq janë të shumta, Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Agjencia i Administratës nuk do t’i hetojnë rastet e tilla për faktin që mungon mundësia ligjore e cila sanksionon një manipulim të tillë. Rasti i Zefiq nuk është i pari. Fenomeni flet për keqpërdorime të shumta ku maqedonasit deklarohen si shqiptarë dhe anasjelltas.

Madje deklarime të rrejshme janë regjistruar edhe në situata kur maqedonasit janë deklaruar si romë, turq, vlleh, boshnjak dhe serb me qëllim që të fitojnë vendin e punës.