Përmes digjitalizimit do të luftohet korrupsioni dhe pastrimi i parave. Përskaj porosive të shumta nga ndërkombëtarët që Qeveria të intensifikojë luftën kundër korrupsionit, disa institucione kanë bërë hap konkret në këtë drejtim. Maqedonia e Veriut do të aplikojë një sistem elektronik për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave statistikorë për parandalimin e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Korrupsioni në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk është problem i ri. Ai është thellë i zhytur në të gjithë shoqërinë tonë. Dhe për fat të keq shpesh perceptohet si mënyra e vetme për të mbaruar ndonjë punë. Në fund të ditës është shumë më e vështirë të korruptohet një kompjuter, është e mundur, por shumë pak njerëz dinë ta bëjnë këtë – tha Damjan Mançevski, Ministër për Shoqëri Informatike dhe Administratë.
Kryetarja e Komisionit të Anti-Korrupsionit, Biljana Ivanovska tha se fakti që ky sistem përmban module të veçanta për etapat e procesit të ndjekjes së rasteve ku dyshohet se ka aferë korruptive, do të ndikojë që lufta ndaj korrupsionit të jetë më efikase.
Me këtë sistem do të lehtësohet mbledhja e të dhënave statistikore për të gjitha lëndët e filluara me dyshime për korrupsion dhe do të ndjekë të gjithë rrjedhën e tyre, nga inicimi deri në përfundim të shqiptimit të vendimit të gjykatës dhe konfiskim eventual – theksoi Biljana Ivanovska, Kryetare e Komisionit të Anti-Korrupsionit.
Ky memorandum u nënshkrua edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa pjesë e projektit janë edhe Ministria e Drejtësisë, Enti Shtetëror i Revizionit, Akademia e Gjykatësve dhe Prokurorëve. Në raportin e fundit të Transparency International, për Perceptimin e Indeksit të Korrupsionit për vitin 2018, thuhej se Maqedonia ka shënuar përparim, duke u radhitur në pozitën 93 nga 107 sa ka qenë vitin paraprak.