Sindikata e pavarur për arsim dhe shkencë ka reaguar ndaj plotësimit të kalendarit për organizimin dhe punën e shkollave fillore në vitin 2018-19 nga ana e Ministrisë së Arsimit. Ky ndryshim parasheh që dy ditët e humbura në mësim për shkak të ndotjes së ajrit, 21 dhe 22 janar të plotësohen këtë të shtunë, 16 mars dhe pas dy javësh.
Nga SPASHK kundërshtojnë kompenzimin e ditëve të humbura me arsyetimin se nuk marrin mëditje shtesë dhe se të njejtat nuk janë aspak efektive. Madje, sipas SPASHK kjo do të shkaktojë kaos në shkolla për shkak se pikërisht të shtunave mbahen gara të ndryshme shkollore.
Vallë, dikush nga të punësuarit në institucione të ndryshme a vijnë në punë të shtunën dhe të dielën pa kompensim. Vallë, ajo që mësuesit mentor mundohen ti përgatitin fëmijët e tyre për gara duhet të mos respektohet për shkak se të shtunave organizohen gara ndërsa do të zhvillohet mësim, do të krijohet kaos. Vallë, përgjegjësitë kanë parasysh se të shtunën duhet të paguhen mëditje shtesë për shkak se llogaritet ditë pune- deklaroi Valentina Mishkova Kenkova, SPASHK.
Edhe pse dërguam pyetje në dikasterin e Arsimit lidhur me këtë kërkesë të SPASHK, nuk morëm asnjë përgjigje. Ndryshe, ish ministrja e Arsimit, Renata Deskovska gjatë periudhës që mbante këtë post kishte paralajmëruar se ditët e humbura në mësim nuk do të plotësohen të shtunave për shkak se nuk kishin dhënë asnjë efekt pozitiv. Mirëpo, të gjitha këto reforma u hodhën poshtë nga pasardhësi i saj Arbër Ademi.
Ndryshimet parashohin që puna edukative-arsimore për nxënësit të zhvillohet në mënyrën vijuese: të shtunën më 16 mars 2019 do të punohet me orarin e orëve të ditës së hënë me të cilën zëvendësohet dita e humbur më 21 janar, ndërsa më të shtunën më 30 mars do të punohet me orarin e ditës së martë me të cilën zëvendësohet mësimi I humbur më 22 janar.