Tetovë, për dy muaj regjistrohen 144 zjarre

Përmirësimi i motit, sjell problemet e para për zjarrfikësit e Tetovës. Shtohet numri i zjarreve në natyrë. 144 zjarre në terrene të hapura janë shënuar për vetëm dy muaj. Pjesa dërmuese e tyre përhapen nëpër fusha dhe male, por shpesh ndodh që zjarri të përfundojë edhe në objekte banimi. Shkaktari i zjarreve në 100 për qind të rasteve sipas zjarrfikësve, ka qenë faktori njeri.

Marketing

Është një numër tejet i madh që evidentojmë, ku kemi një numër prej 144 intervenime për vetëm dy muaj dhe na brengos fakti se këta intervenime janë në sipërfaqe të hapura apo në natyrë. Gjitha këto zjarre vinë nga faktori njeri. – theksoi Uka Aliti, Komandant i NJTKZ

“Kohëve të fundit, po ndodh edhe një fenomen i çuditshëm. Shkaktohen zjarre edhe për t`i pastruar vendet, për të ndërtuar shtëpi nëpër male”.

Shpesh, ku kemi intervenuar ne, një apo dy muaj pas intervenimit tonë shohim se aty ndërtohet diçka” -tha Uka Aliti. Komandant i NJTKZ

Rastet e këtilla, janë lajmëruar edhe në prokurori dhe sipas informatave të Prokurorisë Themelore të Tetovës, janë hapur edhe hetime për këto fenomene, sidomos për pjesën rreth shtratit të Lumit Shkumbin. Nga SPB e Tetovës thonë se një veprim i tillë banorëve mund t`iu kushtojë deri në dhjetë vite burg.

Sipas ligjit për mbrojtje kundër zjarreve, janë paraparë dënime në të holla dhe dënime me burg, që sillen nga tre deri në dhjetë vite, varësisht nga dëmi dhe pasojave që le zjarri”. – u shpreh Fatmir Rexhepi, Zëdhënës i SPB-Tetovë
Nga Inspektorati për mjedis i Komunës së Tetovës thonë se vetëm gjatë shkurtit, janë kontrolluar dhjetëra lokalitete.

Janë lëshuar dy fletëparaqitje penale edhe atë, një për person fizik dhe një për person juridik, që kanë të bëjnë me djegien e mbetjeve në sipërfaqe të hapura”. – theksuan nga Inspektorati për mjedisin, Komuna e Tetovës.

Rasti më i rëndë për zjarrfikësit, ishte ai i para dy ditëve në atarin e komunës së Bogovinës, ku gjatë pastrimit të mbetjeve të tokës, zjarri doli nga kontrolli dhe për pasojë u dogjën rreth 20 hektar shkurre dhe pisha.