Banorët e Batincës kundër deponisë ‘Drislla’

Kundërmimi i erë së keqe është vetëm njëra ndër arsyet e shumta që i çon banorët e fshatit Batincë të ngrenë zërin kundër deponisë Drislla. Banorët të revoltuar thonë se gjatë verës duhet të qëndrojnë të izoluar nëpër shtëpitë e tyre për shkak të dëmit që u shkakton deponia.

Marketing

“Deponia shumë pengon, jo pak. Më shumë u pengon fëmijëve. Të gjithë janë të sëmurë. Na pengon shumë, edhe era e keqe vjen, nuk punohet si duhet”

“Na shkatrroi deponia krejt, të gjithë njerëzit të sëmurë, tek mjeku shkojmë pa ndalur. Ja ku e kemi deponinë, nuk mund të dalim jashtë të pushojmë. Vjen vera nuk mund të dalësh jashtë, nga era qëndrojmë të mbyllur”

“Për të na penguar, na pengon përherë. Në ç’do mëngjes kur ngrihemi na pengon. Në ç’do mbrëmje kur flejmë na pengon. Era vjen këtu si të jetë çati. Po çfarë të bëjmë tani?”

“Mbeturinat nuk po i mbulojnë. Hedhin gjithçka por nuk i mbulojnë. Ajri më i ndotur është në mëngjes ose në mbrëmje. Presim diçka të ketë ndryshime siç thonë se do ta marrin të huajt, të bëjnë riciklime por sa do të bëhet nuk e dimë”,

Për këtë problematikë, Tv21 kërkoi përgjigje nga kryetari i Komunës së Studeniçanit, territor në të cilën është vendosur deponia. Azem Sadiki thotë se plani i koncesionerit italian i prezantuar para autoriteteve në fillim ka qenë shumë i mirë, por thotë se koncesioneri nuk e ka respektuar planin e vet.

“Nëse do punohej sipas planit, me siguri se nuk do të kishte problem. Dukshëm është përmirësuar gjendja se si ka qenë më herët. Ne si komunë bëjmë përpjekje dhe trysni që sa më shumë të punojnë sipas standardeve. Fatkeqësisht nuk është punuar sipas planit që na është prezantuar edhe neve në fillim” theksoi Azem Sadiki Kryetar i Studeniçanit

Nga Drislla për Tv21 thonë se gjendja në deponi është përmirësuar dukshëm dhe se në nuk ka ndonjë erë të keqe siç ishte në të kaluarën. Ndryshe, Deponia “Drislla” ka qenë target i kritikave disa herë nga eko-aktivistët për ndotjen e ajrit. Së fundmi para dyerve të “Drisllas” janë mbajtur edhe protesta.