Qeveria po bën përpjekjet e fundit për të bindur vendet anëtare të BE-së për të marrë datë për fillim të negociatave në qershor. Në Bruksel, me ftesë të Greqisë dhe Rumanisë, zv.kryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani dhe ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov kanë marrë pjesë në takimin e punës të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare. Në një prononcim për Alsat, Osmani e konsideron takimin të suksesshëm.
Natyrisht se ka disa prej tyre të cilët do të presin deri sa të dalë raporti në fund të majit për të parë detajet e reformave por edhe për na mundësuar që të shfrytëzojmë ditët në vijim për të realizuar detyrimet shtesë të cilat i kemi marrë para qytetarëve por edhe para vendeve anëtare por në përgjithësi është një klimë e jashtzakonshme pozitive. Mendoj se sot së bashku me ministrin e Jashtëm i dhamë një impakt të rëndësishëm vendimit të tyre final meqë është ky forum i cili në qershor do të marrë vendimin e rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut”- tha Bujar Osmani, zv.kryeministër për Çështje Evropiane.
Ministri i Jashtëm Dimitrov para homologëve të tij raportohet të ketë thënë se qëllimi i vendit është funksionimi sipas mënyrës evropiane.
Puna jonë është që t’u bindim se kjo që kemi sot në Maqedoninë e Veriut është mundësi për BE-në. Në dekadën e fundit, Evropa në vazhdimësi ka ndryshuar, duke u bërë në një mënyrë fuqi lëvizëse të cilën duhet ta ndjekim. Por, interesat tonë mbesin të njëjta – na duhet fuqi transformuese në BE për krijimin e Ballkanit evropian, stabil dhe me prosperitet”- theksoi Nikolla Dimitrov, ministër i Jashtëm.
Maqedonia e Veriut do të presë raportin e progresit në maj të këtij viti, një muaj përpara marrjes së vendimin për datë eventuale për fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.