Shefja e Diplomacisë së BE-së Federika Mogerini deklaroi se për liderët e Ballkanit Perëndimor ekzistojnë dy opsione – të vendosin qëllime të larta ose të mos bëjnë asgjë.
“Nëse jeni lider politik në një vend të komplikuar dhe rajon të komplikuar mund të zgjidhni qëllime të larta dhe të arrini më të mirën për popullin dhe vendin tuaj ose të vendosni të prisni që të vijnë kohë më të mira”, theksoi Mogerini.
Ajo pas takimit në Këshillin për Stabilizim dhe Asocim mes BE-së dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut iu bëri thirrje të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor që të gjejnë inspirim në marrëveshjen mes Athinës dhe Shkupit.
“Ata zgjodhën rol të guximshëm vizionar të liderëve që solli rezultat historik. Besoj se kjo duhet të jetë inspirim për të gjithë”, tha Mogerini.
Në pyetjen e një gazetari të Tanjugut për konsultimet e BE-së me bashkësinë ndërkombëtare për procesin për lëvizjet e reja dhe finalizimit të mundshëm të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, përfaqësuesja e lartë e BE-së tha se bashkësia ndërkombëtare nga afër i ndjek ndodhitë në rajon.
“Në bashkësinë ndërkombëtare dhe Këshillin e Sigurisë ekziston pranim i plotë për punën të cilën e bëmë me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë, si dhe pritjen e plotë se kjo mund të jetë inspirim për pjesën tjetër të rajonit”, porositi Mogerini.