Marrëveshja e Prespës një prej temave të takimeve të Kumucakos në Uashington

Jorgos Kumucakos, si përgjegjës për politikën e jashtme në partinë opozitare greke Demokracia e Re, realizoi një sërë takimesh me funksionarë të lartë amerikanë gjatë vizitës së tij në Uashington, ndërsa përveç marrëdhënieve bilaterale dhe gjendjes në rajon, u bisedua edhe për Marrëveshjen e Prespës, raportoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Marketing

Kumucakos, pati takime me ndihmës sekretarin shtetëror Filip Riker, me zëvendës ndihmës sekretarin shtetëror për Evropën dhe Euroazinë Methju Palmer, si dhe me Juri Kim, shefin e Drejtorisë së Departamentit të Shtetit për Evropën Juglindore.

Lidhur me Marrëveshjen e Prespës, sipas agjencisë greke të lajmeve ANA-MPA Kumucakos në takime e konfirmoi pozicionin e Demokracisë së Re se bëhet fjalë për një marrëveshje të dëmshme dhe theksoi se nuk është një marrëveshje e ekuilibruar sepse Republika e Maqedonisë së Veriut është e vetmja palë që ka dobi konkrete përmes integrimit në NATO dhe fillimit të negociatave me BE-në.

“Për fat të keq nuk ekziston diçka konkrete dhe materiale, që qytetarët grekë do ta shohin si rezultat pozitiv nga kjo marrëveshje. Kjo duhet që të shërohet dhe është një prej angazhimeve më të mëdha për qeverinë e ardhshme të Demokracisë së Re, që të ballafaqohet me pasojat negative dhe të krijojë një politikë konkrete në dobi të interesave të vendit”, tha Kumucakos.