Seanca për rastin “Thesari” për blerjen e pajisjeve për përgjime në DSK, vazhdon me marrjen në pyetje të ish-ndihmës ministrit të ministrisë së Brendshme, Gjoko Popovski, i cili ka qenë i obliguar për blerjet që i ka bërë Ministria për Punë të Brendshme.
Popovski gjatë dëshmisë së tij tha se vetëm udhëheqësia e DSK-së dhe askush tjetër nga MPB ka vlerësuar se a ka nevojë për blerjen e pajisjeve specifike për përgjim.
“As unë, as ndonjë i punësuar tjetër nga sektori im nuk ka vlerësuar nëse ka nevojë për blerjen e pajisjeve të këtilla specifike. Këtë e ka vlerësuar DSK. Ne vetëm e kemi zbatuar procedurën gjatë blerjes të pajisjeve të këtilla specifike, ndërsa nuk kemi vlerësuar se çka do të blejmë, nga ku do të blihet dhe se a ka nevojë për pajisje të këtilla”, tha Popovski.
Kryetarja e Këshillit të Gjyqtarëve, Xheneta Bektoviq e pyeti Popovskin se për kë mendon kur thotë udhëheqësia e DSK-së, ai u përgjigj se në vitin 2010 ka udhëhequr ne Drejtorinë, Sasho Mijallkov dhe të akuzuarit Toni Jakimovski dhe Goran Grujevski.
Në rastin “Thesari” i akuzuari i parë është ish-drejtori i DSK-së Sasho Mijalkov, si dhe ish-shefi i kabinetit të tij Toni Jakimovski, ish-ndihmës ministri në MPB Nebojsha Stajkoviq dhe ish-shefi i Drejtorisë së pestë në MPB, Goran Grujevski.
Ata akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizim dhe shkaktim të dëmit në Buxhet në vlerë prej 862.045 euro për furnizimin e pajisjes elektronike të komunikimit për nevojat e Drejtorisë së pestë pranë DSK-së dhe trajnim për shfrytëzimin e saj nga një ndërmarrje nga Britania e Madhe.