Rita po vjen!
Rita Ora gjatë prillit do të rikthehet në Kosovë.
Këtë e ka bërë të ditur vetë artistja në bisedën e saj për HollywoodReporter, ku ka folur për koleksionin më të fundit me Escada.
Rita për Escada ka dizajnuar një çantë në mesin e të cilës është zemra, ndërsa një përqindje e fitimeve të shitjes së çantave do të shkojnë për bamirësi pikërisht në vendlindjen e Ritës, përcjell Gazeta Express.
Kompania 41 vjeçare do të dhurojë 15 euro (rreth 16.87 dollarë) nga çdo çantë e shitur, për bamirësi në “Women for Women International”, e cila synon të ndihmojë femrat e mbijetuara të luftës, të rindërtojnë jetën e tyre. Donacionet do të shërbejnë si financim kryesor për përpjekjet e kësaj organizate në vendlindjen e Rita Orës, në Kosovë.
Pasi u largua nga vendlindja në moshën 1 vjeçare, Ora nuk e kujton personalisht krizën ballkanike të viteve 1990, por ajo ka lidhje shumë të ngushta me vendin e saj të lindjes.
“Unë shkoj sa më shpesh që të mundem, është një vend shumë i rëndësishëm për mua”, thotë Ora për “The Hollywood Reporter”.
Kosova gjithashtu e bëri Rita Orën ambasadore.
“U nderova me këtë titull disa vjet më parë nga ish-presidentja Atifete Jahjaga” tha ajo, duke shtuar se ajo do të kthehet në Kosovë në prill për të bërë disa punë bamirësie me Fondin e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF).
Rita në çdo rast po e dëshmon se është ambasadorja më e mirë për Kosovën që kemi pasur deri tani.