Paul Pogba, Raheem Sterling dhe Memphis Depay janë në mesin e yjeve që i kanë dalë në mbrojtje sulmuesit të Juventusit, Moise Kean, pasi italiani përjetoi abuzim racist në një ndeshje kundër Cagliarit në Serie A.
Ndaj Kean u bënë thirrje raciste gjatë gjithë ndeshjes që Juventusi e fitoi 2:0 të martën mbrëma në Sardegna Arena, transmeton Gazeta Express.
Kur e shënoi golin e dytë të bardhezinjve në minutën e 85-të, Kean qëndroi i pa lëvizur me duart e shtrira para tifozëve ultras të Cagliarit, të cilët reaguan edhe më ashpër dhe e abuzua haptazi me thirrje raciste.
Miralem Pjanic dhe Giorgio Chiellini u solidarizuan me të pas ndeshjes, por Leonardo Bonucci dhe – pak më but – trajneri Max Allegri pohuan se adoleshenti italian i provokoi tifozët e Cagliarit.
Megjithatë, Pogba shkroi në përkrahje të tij: “Unë e përkrah çdo luftë kundër racizmit, të gjithë jemi të njëjtë. O njerëz të mirë italianë, zgjohuni sepse nuk mund ta lejoni një grup të vogël racistësh të flasin në emrin tuaj”.
Depay shkroi në Twitter: “Sa turp që ne ende flasim për racizëm në vitin 2019! Ama duhet të ngrihemi kundër kësaj! Të gjithë jemi të njëjtë!”
Megjithatë, mesazhi më i fortë erdhi nga Sterling, i cili edhe më parë ka bërë thirrje për luftë kundër racizmit.
“Faji është 50-50, Leonardo Bonucci. Krejt çka mund të besh tani është të qeshesh”, shkroi Sterling.