Osmani: U keqkuptua deklarata e komisarit Han

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, ka komentuar jehonën që pasoi deklarata e eurokomisarit Johanes Han, i cili theksoi se Komisioni Evropian me siguri do të rekomandojë hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë më 29 maj, por shpjegoi se ky proces është gradual dhe se negociatat nuk do të fillonin menjëherë.

Marketing

“Nuk ishte ashtu deklarata e eurokomesarit Han. Ai është ndër mbështetësit më të mëdhenj të nevojës për fillimin e bisedimeve këtë vit. Atë që e ka thënë Han është në fakt ajo që e themi ne gjithë kohës, se variant jonë i pritur, është ky, në qershor të kemi vendim për fillimin e bisedimeve, gjegjësisht vërtetimin e datës, me çka do të t’i jepet mandat Komisionit Evropian të përgatis kornizë përgatitore”, deklaroi Osmani.

Ai më tej ka thënë se diku kah fundi i vitit do të mbahet konferenca e parë ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. “Bisedimet nuk i bëjmë me Komisionin, por me vendet anëtare. Nëse ajo konferencë do të mbahej kah fundi i vitit, pritet që kapitulli i parë do të hapej në janar. Pra, këtë e ka sqaruar komisari Han, se qershori nuk do të thotë se menjëherë nuk mund të hapet Kapitulli i parë, në qershor merret vendimi për fillim të bisedimeve këtë vit”, shpjegoi Osmani.