Ditën e dytë të vizitës në Tiranë zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Metthju Palmer e ka nisur me një bashkëbisedim me gazetarë.
Në këtë takim ai theksoi se të gjitha partitë politike duhet të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme.
Opozita duhet të përfshihet në dialog për reformën zgjedhore.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte edhe kërkesa e opozitës për qeveri tranzitore. Palmer u shpreh se: “Qeveria dhe Parlamenti janë legjitime dhe Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të çuar përpara Reformën në Drejtësi”.
Më tej ai ka shtuar se është detyrë e opozitës të bindë elektoratin që të vijë në pushtet nëpërmjet votës.
“Jo detyrë e qeverisë të bindë opozitën të hyjë në zgjedhje” deklaroi ai.
Zv/ ndihmës sekretari i Shtetit, Matthew Palmer, në kuadër të ditës së dytë të vizitës së tij, do të takohet sot me Presidenti Ilir Meta dhe krerët e opozitës.
Fillimisht Palmer do të zhvillojë një takim me kreun e PD, Lulzim Basha në orën 13:45. Ndërsa pas një ore, zyrtari i lartë i DASH do të takohet me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi.
Në orën 17:30 Palmer do të takohet me Presidentin Ilir Meta. Pjesë e axhendës së tij është edhe një takim me disa gazetarë shqiptarë.
Ditën e djeshme, ai u takua me kryeministrin Rama, takim i cili zgjati rreth 100 minuta në Kryeministri.
Pas takimit, kryeministri Rama shkroi në twitter duke e cilësuar si një takim të frytshëm si dhe duke zbuluar temat për të cilat u diskutua.
“Marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, integrimi europian i Shqipërisë, dialogu Kosovë-Serbi dhe situata politike në vend, në një bashkëbisedim të frytshëm që na gjeti në dakordësi të plotë me zv/Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Mathew Palmer” shkroi Rama.
Mbetet për t’u parë si do të ndryshojë situata politike në vend pas vizitës së zyrtarit të lartë të DASH, i cili pas Shqipërisë do të vizitojë edhe vendet e tjera të Ballkanit.