Sot në kufirin Maqedoni-Kosovë, në fshatin Bllacë të Hanit të Elezit do të shënohet 20-vjetori i gjenocidit serb dhe spastrimit etnik “Bllaca 99”, ku do të vendoset gurthemeli i Muzeut të Gjenocidit Serb.
Për këtë rast, nën patronatin e kryeministrit, Ramush Haradinaj, treni i cili kishte bartur mbi 400 shqiptarë do të bëhet Muze, i cili do të qëndrojë në ish kampin e refugjatëve.
Në këtë ceremoni do të marrin pjesë presidenti I Kosovës, Hazhim ThaçI, kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari I Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.
“Më 10 prill në ora 14:00 vihet gurthemeli i Qendrës Memoriale të Gjenocidit Serb “Bllaca 99″, meqenëse në Bllacë në vitin 99 kanë kaluar mbi 400 mijë shqiptarë në portën e daljes për Maqedoni e kemi pa të arsyeshme dhe qeveria ka marrë vendim qe të krijohet memoriali apo Muzeu i Gjenocidit Serb në Bllacë”, tha Këshilltari i Kryeministrit i emëruar edhe Mbajtës i Dosjes për Çështjen e Personave të Zhdukur, Jahja Lluka.
Pas iniciativës dhe propozimit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup dhe Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta – Prishtinë, Qeveria e Republikë së Kosovës ka marrë vendim që ta themelojë Qendrën Përkujtimore të Gjenocidit “Bllacë ‘99”.
Meqë kjo qendër pritet të realizohet edhe në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa Instituti jonë në Shkup, përmes departamentit të Muzeologjisë, do të jetë kujdestar shkencor për të, ftohen të gjithë shqiptarët të cilët dy dekada më parë ishin kujdesur për bukë, ujë e strehim të vëllezërve të tyre të gjakut nga Kosova, që më 10 prill 2019 (e mërkurë), në orën 14.00, të vijnë në pikën kufitare “Bllacë” (në anën kosovare), ku do të hidhet gurthemeli i Qendrës dhe do të ekspozohet treni famëkeq i cili asokohe i kishte bartur mijëra shqiptarë deri në kufi.
Shqiptarët e Maqedonisë para 20 vjetëve e dëshmuan në vepër vëllazërinë ndërshqiptare, ndërsa tash do të duhet ta nderojnë ngritjen e kësaj qendre dhe të ndihmojnë që ajo të jetë konservimi më i mirë i kujtesës kolektive të të gjitha vuajtjeve shqiptare përgjatë historisë.