Në tre muajt e parë të këtij viti përmes Aeroportit ndërkombëtar Shkup dhe aeroportit “Shën Apostull Pali” në Ohër, janë transportuar 480.845 udhëtarë, që është rritje prej shtatë përqindëve, krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, publikoi sot TAV Maqedoni, koncesionar i aeroporteve.
Aeroporti i Shkupit ka shërbyer 454.448 udhëtarë në tremujorin e parë të këtij viti me 5,6 për qind rritje në nivel vjetor, ndërsa përmes atij të Ohrit janë transportuar 26.397, që është rritje vjetore prej 63,9 për qind.
“Tremujorin e parë të vitit 2019 e kemi përfunduar me pothuajse gjysmë milionë udhëtarë në aeroportin ndërkombëtar Shkup dhe aeroportin “Shën Apostull Pali” në Ohër. Aeroporti i Shkupit e ka shënuar shkallën e pritur të rritjes prej 5,6 përqindëve , që do të jetë më e lartë në tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit, për shkak të hapjes së katër destinacioneve të reja Baden-Baden dhe Bremen, të hapura në mars të këtij viti, si dhe Larnaka dhe Turku, të cilat do të hapen në korrik të këtij viti”, deklaroi Alper Ersoj, drejtor i përgjithshëm i TAV Maqedoni.
Rritja e numrit të udhëtarëve për 64 për qind në aeroportin e Ohrit, siç theksoi Ersoj, është si rezultat i tre linjave të reja ajrore të hapura në gjashtë muajt e fundit, Vjena në nëntor të vitit të kaluar dhe Mallme dhe Milano muajin e kaluar.
“Me katër destinacionet e reja që do të hapen këtë verë – Memingen, Dortmund, Shtutgart dhe Dyseldorf, presim që ta mbajmë shkallën e lartë të rritjes së numrit të udhëtarëve në aeroportin në Ohër, me këtë rast duke arritur rekorde të reja. TAV Maqedoni, së bashku me të gjitha trupat qeveritarë., në fushën e aviacionit, do të vazhdojë të punojë në zhvillim të rrjetit të linjave ajrore në dy aeroportet. Në të njëjtën kohë, kënaqësia e udhëtarëve do të mbetet si një nga prioritetet tona të larta, me fokus në përmirësimin dhe risinë e shërbimeve për kompanitë ajrore dhe udhëtarët”, deklaroi Ersoj.
Sipas të dhënave statistikore për qarkullim ajror të TAV Maqedoni, nga janari deri në mars të këtij viti, destinacionet më frekuentuese nga Aeroporti ndërkombëtar Shkup janë: Stambolli me 10.9 për qind të tregut, Cyrihu (7.5 për qind), Bazeli (5.6 për qind), Mallme (4.9 për qind), Vjenë (4.8 për qind), Memingen (3.6 për qind).
Kompania me buxhet të ulët “Uizer” ka transportuar numrin më të madh të udhëtarëve me 67,4 për qind të tregut, ndërsa pastaj pasojnë Turkish erlajns me 8,4 për qind, Gjermania Flug me 4,8 për qind, Austrian erlajns me 4,7 për qind, Edelvajs me 2,6 për qind dhe Pegasus erlajns.
Nga Aeroporti ndërkombëtar Shkup 13 kompani ajrore sigurojnë ndërlidhje deri në 42 destinacione të rregullta, ndërsa nga ai i Ohrit 11 kompani ajrore shërbejnë pesë destinacione të rregullta dhe tetë sezonale.
TAV Maqedoni e përfundoi vitin 2018 me gjithsej 2,3 milionë udhëtarë në dy aeroportet, që paraqet 16 për qind rritje vjetore dhe me 19.750 fluturime, gjegjësisht përqindje rritje vjetore.