Bashkimi Demokratik për Integrim, dega në Gostivar, në kuadër të fushatës për zgjedhjet presidenciale të mërkurën qëndroi në Çajlë, nga ku nënkryetari i BDI-së njëherit dhe Kryetar dege, z. Nevzat Bejta, nga afër njoftoi banorët e këtij lokaliteti me rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, dhe veçmas konceptin e kandidatit konsensual që ishte ide e BDI-së që nga viti 2014.
“Në këto zgjedhje ne votojmë vetveten, ne votojmë kandidatin që publikisht deklarohet se shqiptarët i llogarit si të barabartë në këtë shtet. Pendarovski ka përkrahjen e ndërkombëtarëve dhe është kordinator për integrimin të RMV-së në NATO. Ne nuk e votojmë Siljanovskën sepse është kundër NATO-s dhe BE-së, por as edhe kandidatin Blerim Reka i cili ka dalur që të pengon kandidatin e përbashkët dhe është vënë në shërbim të VMRO-DPMNE-së. Me votën për Pendarovskin ne nderojmë vetveten dhe ndërkombëtarët”, deklaroi Bejta.
Kemi kandidatin e përbashkët konsensual, tha Bejta, i cili përkrahet nga partitë pjesëmarrëse në qeveri i cili deklaron hapur për mbështetje të procesit integrues të vendit në NATO dhe BE.
“Ishte durimi, sakrifica dhe largpamësia e liderit, z. Ali Ahmeti që pas një procesi të gjatë gati 20 vjeçar sot një nga tre postet kryesore të shtetit të drejtohen nga një shqiptar. Ishte sakrifica e liderit tonë që solli deri te këto ndryshime. Ishte durimi dhe zgjuarsia e tij që sot qeveria dhe parlamenti të flasin shqip. Me presidentin konsensual, edhe presidenca do të frymon shqip”, vijoi Bejta.
Të pranishëm në këtë tubim ishin edhe anëtarë të Shtabit Komunal Zgjedhor të degës së BDI në Gostivar, në krye me z. Bashkim Hasani.