Mediat serbe raportojnë se Emmanuel Macron dhe Angela Merkel do ta shfrytëzojnë thirrjen e 29 prillit për takim në Berlin për t’i dhënë një ultimatum Serbisë.
Thirrja e Gjermanisë dhe Francës që më 29 prill në Berlin të mblidhen presidentët dhe kryeministrat e Serbisë, Kosovës dhe Shqipërisë, mund të ketë një tjetër arsye, që Beogradi të pranojë vazhdimin e dialogut me Prishtinën pa heqjen e taksës ndaj mallrave serbe.
“Veçernje Novosti” shkruan se nëpërmjet burimeve diplomatike ka mësuar se ky është shkaku i angazhimit të Berlinit dhe Parisit për zgjidhjen e çështjeve në Ballkanin perëndimor, transmeton lajmi.net.
“Presioni i Gjermanisë dhe Francës është rritur në kohën e fundit. Ata kërkojnë që Beogradi të zbutet, të vazhdojë dialogun me Prishtinën rreth marrëveshjeve të mundshme me të cilat do ta njihte Kosovën. Në kthim ata ofrojnë që në veri të Kosovës të formohet një etnitet i cili do të kishte status të ngjashëm me atë që ka Republika Srpska në Bosnje e Hercegovinë”, tha një burim i portalit serb “Telegraf”, transmeton lajmi.net.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar të martën se do t’i përgjigjet thirrjes së Gjermanisë dhe Francës për takim me përfaqësuesit e administratës nga Prishtina më 29 prill në Berlin.
Por, ai ka theksuar se nga ky takim nuk pret asgjë, sepse e di se me kë ka punë në Prishtinë. Ai përsëriti qëndrimin se Beogradi është i gatshëm t’u kthehet bisedimeve, pasi Prishtina ta heq taksën. /Lajmi.net