Brexit, negociatat shtyhen deri në 31 Tetor

Negociatat mes Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe për Brexit do të zgjasin deri në 31 Tetor. Është kjo marrëveshja e arritur mes Londrës dhe Brukselit, me kushtin që britanikët të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare evropiane.

Marketing

Liderët e 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe Britania e Madhe kanë rënë dakord për shtyrjen e negociatave për Brexit deri në 31 Tetor. Kjo është dhe data kur përfundon mandate i komisionit aktual evropian, ndërkohë që mediat e kanë pagëzuar marrëveshjen me emrin “Hallouin-Brexit”. Gjithashtu parashikohet dhe një rishikim i situatës dhe hapave të bëra nga Kryeministrja britanike Mej në negociatat e saj me opozitën laburiste, në këshillin e BE-së në Qershor.

Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk u shpreh se zgjatja e negociatave ishte pak më e shkurtër se ajo që kishte parashikuar, por sërish mjaftueshëm për të gjetur zgjidhjen më të mirë. Ai i bëri apel Londrës që të mos e shpërdoronte këtë kohë.

Por kushti i vendosur nga Bashkimi Evropian për të marrë këtë shtyrje, është pjesëmarrja e Britanisë së Madhe në zgjedhjet europiane, në rast të kundërt vendi do e gjejë veten jashtë Bashkimit Evropian pa një marrëveshje, Brenda datës 1 qershor. Presidenti i Komisionit evropian, Zhan klod Junker u shpreh se samiti i Këshillit Evropian në Qershor do të shërbejë për analizimin e situatës.

Kryeministrja britanike Mej nga ana e saj u shpreh se kërkesa e saj kryesore ishte pranuar. Kërkesa kishte të bënte me shtimin e një klauzole në marrëveshjen aktuale, sipas të cilës Britania e Madhe duhet të dalë nga BE sa më shpejt. Kështu nëse marrëveshja për Brexit do të miratohet nga Parlamenti Europian, Londra do të mund të dalë nga BE para datës 30 qershor.

Marrëveshja e arritur mes liderëve të 27 vendeve anëtare është një kompromis në të cilin peshoi shumë qëndrimi i Francës, e cila kundërshton fort zgjatjen e negociatave.

Presidenti i Parlamentit Evropian Antonio Tajani paralajmëroi Londrën se dhoma evropiane e deputetëve nuk është një hotel me orë nga I cili hyhet dhe dilet sipas dëshirës

Një nga mbrojtëset më të forta të shtyrjes së negociatave ishte kancelaria gjermane Merkel e cila deri në fund këmbënguli duke thënë se duhej ruajtur uniteti i BE si dhe duhej shmangur një Brexit pa marrëveshje./abcnews.al