Senati i Republikës së Polonisë, sot në Varshavë, në mbledhje, në të cilën mori pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, votoi pajtueshmëri për Ligjin për ratifikimin e Protokollit për inkuadrim të Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt NATO-s.
Siç kumtoi MPJ, pas votimit të javës së kaluar në Sejmin polak, me pajtueshmërinë e sotme në Senat, Polonia edhe formalisht e përfundoi procesin e ratifikimit të Protokollit inkuadrues, si vendi i 11-të me radhë nga vendet-anëtare të NATO-s.
Pas mbledhjes, Dimitrov u prit në takim kurtoaz nga ana e Mareshalit të Senatit të Republikës së Polonisë, Stanisllav Karçevski, ku, ceket, u konfirmuan marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe u bisedua për mundësitë për intensifikim të bashkëpunimit parlamentar.
Ministri Dimitrov, sonte, në Pallatin presidencial, në suaza të takimit ministror të shefave të diplomacive për Procesin e Berlinit, do të marrë pjesë në darkën e punës nën patronatin e Presidentit të Republikës së Polonisë, Andzhej Duda, ku do të flitet për të rinjtë nga Ballkani Perëndimor dhe sfidat me të cilat përballen ata, në kontekst të BE-së.
Dimitrov, nesër në Varshavë, do të marrë pjesë në takimin përgatitor të ministrave të jashtëm të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit. Takimi është paraparë si përgatitje e Samitit të gjashtë të Procesit të Berlinit, i cili këtë vit do të mbahet më 5 korrik në Poznan, ndërsa qëllimi është kthesa e vendeve pjesëmarrëse në proces drejt asaj që është arritur gjatë vitit të kaluar, duke i identifikuar arritjet, sfidat dhe mundësitë për vendet nga Ballkani Perëndimor.
Në suaza të tre sesioneve të parapara, ministrat e jashtëm do të kenë mundësi t’i ndajnë qëndrimet dhe përvojat e veta lidhur me thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura bilaterale, zgjerimin e sferave të bashkëpunimit të të rinjve nga rajoni, me theks në Zyren rajonale të të rinjve (RYCO), si dhe për pritjet në pikëpamje të përfitimeve nga Samiti në Poznen.
Në formatin ekzistues të vendeve të BP6 dhe vendeve-anëtare të BE-së të cilat deri më tani ishin pjesë e Procesit (Gjermania, Austria, Franca, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Polonia, Kroacia dhe Sllovenia), këtë vit u bashkangjiten edhe Bullgaria dhe Greqia. Pas përfundimit të takimit, do të mbahet edhe Konferenca e tretë ministrore e Fondit për Ballkanin Perëndimor, qëndron në kumtesën e MPJ-së.