Sot mbushen 7 vjet nga njëra ndër vrasjet më misterioze të ndodhura në Maqedoninë e Veriut. Më 12 prill të vitit 2012-të, Filip Sllavkovski, Aleksandar Nаqevski, Cvetanço Acеvski, Kire Tërpkovski dhe peshkatari Borçe Stevkovski u gjetën pa shenja jete në Liqenin e Smillkovës, në rrethin e Shkupit, shkruanPortalb.mk.
Për rastin në fjalë, organet shtetërore zhvilluan aksion nën emrin e koduar “Monstra” dhe arrestuan dhjetëra shqiptarë, në mesin e të cilave kishte edhe gra. Pas kësaj, MPB doli me deklaratë, duke e shkelur prezumimin e pafajësisë dhe duke deklaruar se vrasjen e kanë kryer disa “ekstremistë islamikë” për të shkaktuar frikë në opinion.
Procesi gjyqësor për palën mbrojtëse ishte i montuar dhe se të akuzuarit nuk janë personat që e kanë kryer vrasjen. Megjithatë, Gjykata Penale e Shkupit, pas dy vitesh gjykim, i dënoi me burgim të përjetshëm AgimIsmailoviqin, Fejzi Azirin, Haki Aziriin, Sami Lutën dhe dy të akuzuarit tjerë që janë në arrati Alil Demirin, dhe Afrim Ismailoviqin. Sejdi Rami u lirua, pasi që sipas Gjykatës, nuk kishte prova.
Rasti në fjalë ka shkaktuar bujë në madhe në opinion duke akuzuar pushtetin e atëhershëm të VMRO-DPMNE-së për inskenim të rastit. Për atë, me mijëra qytetarë, në mesin e të cilëve kishte dhe intelektualë një muaj me radhë dolën në protesta për të shprehur revoltën e tyre ndaj dënimit të bashkëqytetarëve të tyre, të cilët, sipas tyre, ishin të pafajshëm dhe se i tërë ky rast ishte konstruuar nga Shërbimi Sekret i Maqedonisë, të cilin atëkohë e udhëhiqte kushëriri i kryeministri Nikolla Gruevski, Sasho Mijallkov.
Gjatë protestave, policia përdori dhunë, gjegjësisht topa uji dhe bomba me gaz lotsjellës, ndërkaq pasi që të njëjtët thyen disa nga dritaret nga kompleksi i gjykatave në Shkup, 6 shqiptarë u arrestuan dhe më pas u dënuan me nga tre vjet burg.
Avokatët e të dënuarve me burg të përjetshëm, vazhdimisht kanë deklaruar se ky është rast i montuar politik dhe se pas këtij rasti fshihet pushteti i Nikolla Gruevskit.
“Bombat”, apo bisedat e përgjuara që lideri i opozitës së atëhershme, Zoran Zaev filloi t’i publikojë, ishin shpresa e vetme për të dënuarit. Ai vetë në disa raste ka thënë se të dënuarit janë të pafajshëm dhe se ekzistojnë biseda të përgjuara për rastin në fjalë, por megjithatë të njëjtat nuk u publikuan kurrë.
Për shkak të dyshimeve të mëdha dhe mungesës së provave, por edhe mundësisë së ekzistimit të telefonatave të përgjuara, pasi erdhi në pushtet LSDM-ja, Gjykata Supreme solli vendim që lënda të kthehet në rigjykim që të hiqen të gjitha dyshimet për rast të montuar dhe njëkohësisht të dënuarit të lirohen nga burgu.
Ish të burgosurve iu lejua që të mbrohen në liri, lëndën e mori nën kompetenca Prokuroria Speciale Publike, ndërkaq e gjykon trupi i ri gjykues prej gjykatësit kryesor Ognen Stavrev dhe zëvendësit të tij, Osman Shabani.
Procesi gjyqësor ende vazhdon, por edhe pse është përfolur se PSP do t’i nxjerrë materialet e përgjuara eventuale, për të cilat edhe e mori nën kompetenca lëndën, deri më tani, asgjë nuk kanë publikuar. Pritet që në periudhën në vazhdim Specialja të nxjerrë dëshmi të reja, të cilat të gjithë i presin për ta kuptuar të vërtetën rreth vrasjes misterioze.
Më poshtë ua sjellim kronologjinë e ndodhive në pika të shkurtëra:
12 prill 2012 – 4 djelmosha të rinj (18 deri 21 vjeç) dhe një peshkatar 46 vjeçar u vranë në mënyrë misterioze në Liqenin e Smillkovës.
1 maj 2012 – Në një aksion policor arrestohen më shumë se 20 persona të dyshuar për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë ku në mesin e tyre kishte edhe gra. Ekipi i ministres së atëhershme të Punëve të Brendshme, GordanaJankulloska, bashkë me zëvendësin e saj, Xhelal Bajrami, ish shefin e Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov dhe eprorë tjerë të Policisë, në një konferencë për shtyp deklaroi se të arrestuarit ishin radikalë islamistë të cilët kishin marrë pjesë në vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë me qëllim që të shkaktojnë pasiguri dhe frikë te qytetarët e Maqedonisë.